Shtatë të arrestuarit dalin nesër para Gjykatës

Shtatë të dyshuarit që u arrestuan nga Inspektorati Policor i Kosovës do të dalin nesër para gjykatës Themelore në Ferizaj.

Lajme

19/03/2015 19:54

Një kapiten i Policisë, një zyrtar policor, dy pjesëtarë të FSK-së, një sekretar i shkollës së mesme teknike profesionale, si dhe një profesor i shkollës së mesme në Drenas janë arrestuar të martën dhe të mërkurën nga IPK-ja.

Të arrestuarit janë: Fadil Rexhepi, drejtor i Migrimit dhe të Huaj në Policinë Kufitare, E. Franca, Rr. Elshani, M. Maloku, R. Bislimi, R. Berisha, si dhe një person tjetër që nuk është arritur të mësohet emri i tij.

Avokati i Rexhepit, Skënder Musa konfirmoi për KosovaPress se nesër do të vendoset për caktim ose jo të paraburgimit sipas kërkesës së prokurorit.

Musa beson se klienti i tij është i pafajshëm dhe se do të lirohet pasi që nuk është paraqitur ndonjë provë se ka kryer vepra penale.

Sipas tij, në bazë të raporteve të prezantuara është dëshmuar se e tërë puna e tij ka qenë në kuadër të procedurave ligjore.

Të arrestuarit dyshohen se kanë kryer veprat penale: zbulimi i fshehtësisë zyrtare, keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, marrja e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, dhënia e ryshfetit, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre dhe dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, transmeton KosovaPress.