Shtatë muaj nga vrasja e Ivanoviqit, bashkëshortja e tij shpreson të mos ketë ndërhyrje politike në hetime

Janë bërë shtatë muaj që nga vrasja e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq ndërsa hetimet ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.

Lajme

16/08/2018 09:32

Bashkëshortja  e tij, Milena Ivanoviq ka thënë se ka kaluar shumë kohë dhe shpreson se qëllimi i zvarritjes së këtij krimi mos të jenë ndërhyrjet politike.

Gjatë një interviste për ‘Novosti’ ajo ka thënë se kamerat e zyrës ku punonte Ivanoviqi kanë qenë funksionale edhe pse një gjë e tillë është mohuar, transmeton lajmi.net.

“Unë e di informacionin se gjoja kamerat në ambientet e partisë në kohën e vrasjes nuk kanë funksionuar. Këtë nuk e besoj sepse e di se kamerat punonin vazhdimisht, Oliveri i kishte rregulluar disa javë para vrasjes. Ekzistojnë pamje edhe nga disa kamera tjera, shpresoj se ato do të shërbejnë në zbulimin e vrasjes”, ka thënë Milena Ivanoviq.

Tutje, ajo është shprehur e shqetësuar pasi ka shpresuar se ditën që ka ndodhur vrasja do të zbulohej edhe vrasësi ndërsa tani janë bërë shtatë muaj dhe po krijohen vetëm spekulime.

“Me keqardhje më duhet të them se në Serbi ka qarqe të cilat paturpësisht po e përdorin këtë vrasje për të zgjidhur konfliktet personale dhe promovuar veten e tyre. Ata që sinqerisht e kanë dashur dhe respektuar Oliverin duhet të presin rezultatet e hetimit dhe të mos marrin pjesë në lojëra të pista”./Lajmi.net/