ShSKUK zhvillon testin e punësimit të 200 mjekëve specialistë

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka filluar sot testimi i kandidatëve që pritet të punësohen në njësi të ndryshme, përfshirë QKUK-në, Stomatologjinë, spitalet regjionale dhe njësitë tjera të SHSKUK-së. Drejtori Curr Gjocaj thotë se nga kjo procedurë regrutimi do të punësohen rreth 200 specialistë të lëmive të ndryshme mjekësore.

Lajme

19/07/2017 11:02

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka filluar testimi i specialistëve të pa punë të cilët synojnë të punësohen në lëmi mjekësore në gjithë Shërbimin Klinik Spitalor Universitar të Kosovës.

Drejtori i SHSKUK-së Curr Gjocaj, në një intervistë për rtklive.com ka thënë se në këtë procedurë regrutimi do të punësohen në QKUK, Klinikën Stomatologjike dhe spitalet regjionale të Kosovës diku rreth 200 mjekë specialistë.

Gjocaj ka thënë se konkursi ishte shpallur nga Ministria e Shëndetësisë (MSh). Por, Inspektorati i Punës kishte vlerësuar se MSh ishte organ jo kompetent për të kryer këtë procedurë të regrutimit të stafit mjekësor specialistik. Pas shumë vendimesh, sipas Gjocajt, Inspektorati i Punës në marrëveshje me MSh-në dhe SHSKUK-në ka vendosur që procedurat regrutuese të ndiqen nga vet SHSKUK-ja.

“Do të thotë, gjitha procedurat e regrutimit të afërsisht 200 specialistëve të pa punë sot janë bartur tek ne, ku edhe po zhvillohet procesi i testimit”, ka thënë drejtori Gjocaj.

I pyetur nëse po respektohen afatet ligjore procedurale në këtë konkurs, drejtori Gjocaj ka thënë se çdo gjë është duke u kryer brenda afateve të parapara me ligj.

Ndërkohë në pyetjen se a ka pasur rezistencë nga Ministria e Shëndetësisë që ta mbikqyrë vet konkursin, i pari i SHSKUK-së ka shtuar se institucioni që ai drejton ka kundërshtuar këtë shpallje të konkursit nga ana e MSh-së. “Nëse na merret procecedura më e thjesht e regrutimit, çfarë kuptimi ka që ne të jemi si organizatë e pavarur”, ka thënë drejtori Gjocaj.

Sipas tij, pas shumë ankesave që palët e treta kanë bërë në Inspektoratin e Punës, është vlerësuar se MSh është organ jo kompetent për shpallje të konkursit dhe regrutim të stafit mjekësor.

Andaj, ai thotë se Inspektorati i Punës ka kërkuar që në asnjë mënyrë ky proces të mos vazhdoj në Ministri.

“Kështuqë për të mos zvarritur këtë proces, kemi marrë në menaxhim me të gjitha kushtet dhe kriteret që ka pasur MSh”, tha Gjocaj.

Ai ka shtuar se nuk kanë shpallur konkurs të ri. Vendimi i Inspektoratit, sipas tij, është i datës 5 korrik 2017, dhe për çdo procedurë, siç bën me dije Gjocaj, janë shfrytëzuar afatet ligjore.

Drejtori i SHSKUK-së Curr Gjocaj ka thënë se do të ketë pranime të specialistëve edhe në lëmi mjekësore deficitare, ku ka mungesë stafi.

“Në kardiokirurgji kemi vuajtur shumë për ekspertë të kësaj fushe. Me sa jam i njoftuar është një kandidat dhe një pozicion për specialist të kësaj lëmie”, tha ai.

I pyetur nëse do të punësojnë edhe specialistë të oftalmologjisë të aftë për të menaxhuar sëmundjet e retinës tek foshnjat e lindura para kohe, Gjocaj ka thënë se edhe në Klinikën e Oftalmologjisë parashihen punësime të reja.

“Po shpresojmë që do t’i marrim më të mirët. Një nga kriteret e konkursit që sugjerohen si përparësi është përvoja ose trajnimi i veçantë. Komisionet vlerësuese do të jenë në krye të detyrës për të dhënë më të mirën e mundshme për këtë proces”, ka shtuar ai.