SHSKUK thotë se furnizimi me oksigjen në QKUK është i rregullt

Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së, Haxhi Avdyli.

Lajme

24/01/2019 17:50

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, gjatë ditës së sotme deklaroi se Klinikat e QKUK-së rrezikojnë të mbesin pa oksigjen për shkak të defekteve në sistemin qendror të furnizimit, si dhe mungesës së bombolave 8.5 kg, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, pas këtyre deklaratave ka reaguar Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), duke thënë se furnizimi me oksigjen në QKUK është i rregullt, sallat e operacionit funksionuan normalisht.

“Gjendja e furnizimit me CO2 është stabile dhe nuk asnjë problem, e këtë e dëshmojnë edhe klinikat që sot kanë kryer operacione,  e që nuk është hasur në telashe. SHSKUK, ka obliguar sektorin teknik të monitorojë 24 orë sistemin e furnizimit me gaz”, thuhet ndër të tjera në reagimin e SHSKUK-së.

Njoftimi i plotë i SHSKUK-së pa ndërhyrje:

Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sqaron opinionin se pacientët në QKUK nuk kanë qenë dhe nuk janë të rrezikuar në mungesë apo problem  të furnizimit me oksigjen, apo gazit medicinal.

Menaxhmenti i SHSKUK, përkatësisht drejtoria përmes sektorit teknik ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për furnizim të rregullt dhe pa ndërprerë me oskigjen CO2.

Gjendja e furnizimit me CO2 është stabile dhe nuk asnjë problem, e këtë e dëshmojnë edhe klinikat që sot kanë kryer operacione,  e që nuk është hasur në telashe.

SHSKUK, ka obliguar sektorin teknik të monitorojë 24 orë sistemin e furnizimit me gaz medicinal dhe gjendje teknike të sistemit  të furnizimit.

Edhe në mjekimin intensiv qendror furnizimi është i mirë dhe janë ndërmarrë masat e nevojshme. /Lajmi.net/