Shqiptari ankohet në Gjermani: Në Kosovë nuk jam i sigurt nga gjakmarrja, as në burg!

Gjykata e Lartë në Karlsruhe të Gjermanisë në një vendim të marrë më 26 maj dhe të publikuar më 10 qershor, ka trajtuar një rast të ekstradimit të një shqiptari të Kosovës, i cili kanoset nga gjakmarrja, shkruan forumjura.de.

Lajme

15/06/2016 15:45

Gjykata ka ardhur në përfundimin se nëse një delikuent i huaj në rast ekstradimi në vendin e tij, as në burg nuk do të jetë i sigurt nga gjakmarrja, ky rrezik mund të jetë argument kundër ekstradimit, transmeton albinfo.ch.

Por, gjykata megjithatë ka lejuar ekstradimin e tij me kusht në Republikën e Kosovës.

I përmenduri ndodhet në burgun gjerman për ekstradim sepse akuzohet për një vrasje të kryer në Kosovë.

Por ai kundërshton ekstradimin me argumentin se i kanoset gjakmarrja nga familjarët e viktimës. Madje sipas tij në Kosovë nuk do të jetë i sigurt as në burg.

Ndërkaq gjykata në Karlsruhe ka vendosur si në vijim: kërcënimi i gjakmarrjes mund të pengojë ekstradimin kur shteti ku duhet të bëhet ekstradimi nuk është në gjendje ose nuk ka vullnet të mbrojë të burgosurit nga gjakmarrja as në kohën kur këta ndodhen në burg.

Por, ka përfunduar gjykata, autoritetet kosovare kanë dhënë sigurime të besueshme se në burgun në të cilin duhet të vuajë dënimin personi konkret, nuk punon asnjë pjesëtar i familjes së viktimës, përcjell albinfo.ch.

Nisur nga kjo, ekstradimi është i lejueshëm vetëm me kushtin që Kosova të sigurojë se i dënuari do ta vuajë dënimin ekskluzivisht në burgun e përmendur dhe në kushtet kur punonjësit e Ambasadës Gjermane në Kosovë mund ta vizitojnë atë në mënyrë të rregullt.