Shqiptarët2014.com

Si shqiptarë, askush, pos vetja, nuk mund më të na pengojë në bërjen faktor të dorës së parë në këto anë të Evropës.

Lajme

22/10/2014 15:10

Janë dy filma shumë të njohur të Hollywoodit, të cilët, me përmbajtjen dhe me mësimet kryesore që dalin prej tyre, mund t’i thërrasim në ndihmë në përpjekjen eventuale që të orientohemi në kohë dhe në hapësirë tani, kur në vend të busullës, mjet të orientimit e kemi një dron a një fluturake të improvizuar, në vend të ditëve në vijim, të rrjedhës së natyrshme të kohës, kemi ngecë te e marta e kaluar, me 14 tetor; në vend të kërkimit të përgjigjes për fatin tonë si dy shtete dhe një komb, tutje merremi me shpjegimin se çfarë ka ndodhur në një ndeshje futbolli.

Më në fund, në vend se të shfaqemi si kolektivitet i befasuar tej mase me gjithë atë rrëmujën e një ngjarjeje që duhej të ishte sportive, (befasia në këtë rast na bënë ne të dukemi injorantë që nuk marrin vesh gjë as në histori dhe as në politikë), do të duhej t’i kthehemi realitetit, atij çfarë është në relacionet e përmasave rajonale, dhe këtij tjetrit, që ka të bëjë me ne vetë, si shqiptarë të Kosovës dhe si shqiptarë të Shqipërisë, të cilët nuk po arrijmë dot ta kuptojmë njeri-tjetrin si duhet, sepse nuk e kuptojmë as veten, aty ku jetojmë, në shtetet e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Dy filmat të cilët i rrinë mirë gjendjes së krijuar ndër ne, në ditët e fundit, janë “Forrest Gump” dhe ‘The Truman Show”. Mbase, të shumtë janë ata ndër ne që i kanë parë këta filma.

Në “Forrest Gump”, ku Tom Hanks e përjetëson kryeprotagonistin e filmit (Forrest Gump-in), momenti kyç i rrëfimit është ai kur ky, në ikje e sipër prej të gjithë atyre që e tallin dhe e përqeshin, e mezi ecte sepse ishte në paterica, pëlcet në një vrap të jashtëzakonshëm, duke i lënë patericat, talljet dhe përçmimet prapa, dhe duke u bërë, madje, një njeri i veçantë.

Në “The Truman Show”, Jim Carrey luan Truman Burbank-un, të vetmin banor të një qyteti që krijuar në stilin e një Reality Show, i cili nuk e di që e tëra është një show televiziv, dhe që jetë të mirëfilltë në këtë qytet nuk ka.

Gjithçka i nënshtrohet kamerës, lojës, shikueshmërisë. E Truman nuk e di që ky nuk jeton, por luan një rol. Kur e merr vesh se për çka bëhet fjala, ia mësynë të ikë. Dëshiron ta prishë përrallën televizive, në këmbim të një realiteti jetësor.

Shqiptarët, më të përçmuarit, më të shkelurit, më të nënshtruarit, më tragjikët në këto anë të Ballkanit e të Evropës  (dyzimi i këtyre dy nocioneve solli tash e sa vjet hibridin e quajtur ‘Ballkani Perëndimor’, në ikje të supozuar prej Lindjes), deri në vitin 1999, në Kosovë, i përngjanin shumë Forrest Gump-it. Tash, në tetorin e vitit 2014, jemi diku te stadi i Truman Burbank-ut, para se ky të kuptojë se Reality Show është në fuqi, e jo fuqia e Realitetit të mirëfilltë.

Në vitin 1999, dukej që një herë e përgjithmonë i lamë prapa patericat e të gjitha llojeve, me të cilat kishim bërë jetë për decenie me radhë. Ne nuk duhej të ecnim vetë. Ne nuk duhej të vendosnim për veten. Ne nuk duhej të bëheshim faktorë në rajon.

Në verën e vitit 1999-të, ndodhi ai vrapi i mrekullueshëm i shqiptarëve të Kosovës, kah liria, kah zënia e fatit tonë, kah vendosja për vetveten. Raporti Kosovë – Serbi, nëse këtu këto relacione i vëmë në një skemë matematikore, dhe nëse njëqindëshi ka domethënien e të qenit një shtet anëtar i BE-së, ishin dhjetë me zero.

Prej fillimit të shekullit njëzet, Kosova kurrë nuk i kishte punët më mirë, Serbia kurrë nuk i kishte pasur punët më keq. Kishte rënë në shkallën zero.

Në vitin 1999, pasi këtu po e marrim atë si një vit reference  (me vend, gjithsesi), raportet e Shqipërisë dhe Kroacisë, nëse sërish shprehemi me shifra, në rrugëtimin kah Evropa, ishin pothuaj të barabarta, me një përparësi të lehtë të Kroacisë.

Në vitin 2014, Serbia është diku gjashtë vjet larg BE-së, e Kosovës do t’i duhen, në variantin më optimist, edhe dhjetë vjet udhëtim për stacionin e Brukselit.

Në vitin 2014, Shqipëria është së paku tetë vjet larg BE-së, ndërsa Kroacia në korrikun e vitit të kaluar është bërë shteti anëtar i 28-ti i Bashkimit Evropian.

Natyrisht, dhjetëra a qindra shkrime e analiza, libra të tërë do të mund të shkruheshin në shpjegim të të gjitha ngjarjeve që lidhin vitet 1999 dhe 2014, dhe ecjen e këtyre katër shteteve.

Mund të supozojmë të gjithë se çka na rri në maje të gjuhës. E ne rëndom flasim pa menduar dy herë.

E dimë edhe pse na vlon gjaku, pse kemi aq shumë emocione. Por ato nuk ndihmojnë gjë nëse duam t’i arrijmë qëllimet tona.

Tek e fundit, si ia dolëm të shpëtojmë dhe të fitojmë në vitin 1912-të, si Shqipëri, dhe në vitin 1999-të, si Kosovë?

Kemi çka të mësojmë nga historia e jonë. Ama ajo e mirëfillta. Jo kjo instant historia e llojit të plaçkave “Gjithçka për Një Euro”.

Zëri ynë, si një komb me dy shtete, nuk dëgjohet larg, sepse akoma jemi të dobët si shtete dhe si shoqëri. Sepse ende jemi në gjendje me kokëfortësinë më të madhe ta refuzojmë përballjen me realitetin, dhe të kapemi për një Reality Show që e bëjmë vet. Sepse ende ne nuk e kemi marrë vesh çka mund të bëjmë me vetveten, dhe që askush, pos vetja, nuk mund më të na pengojë në fuqizimin si faktor i dorës parë në këto anë të Evropës. 

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)