Shqiptarët tentojnë ta rrëzojnë Car Dushanin

Një grup i qytetarëve shqiptarë në Shkup kanë tentuar mbrëmë që ta rrëzojnë përmendoren e Car Dushanit. Ndërsa sot nëpërmjet një thirrje në Facebook, ftohen qytetarët e Maqedonisë që të dalin në protestë.

Lajme

07/12/2013 09:35

Një grup prej rreth 30 shqiptarëve janë mbledhur mbrëmë në Shkup në përpjekje që ta rrëzojnë përmendoren  e mbretit serb Car Dushan, në qendër të qytetit.

Ata e kanë goditur përmendoren me gjësende të forta dhe me çekiç. Shtatorja vetëm ka pësuar dëmtime por nuk është rrënuar.

Për vendosjen e kësaj përmendore nuk ka marrë përgjegjësi asnjë institucionin në Maqedoni, duke përfshirë edhe Ministrinë e Kulturës apo dhe komunën Qendër.

Përfaqësuesit e këtyre institucioneve e quajtën vendosjen e saj ilegale.

Disa media kanë raportuar se ndër qytetarët që kanë dalë mbrëmë kanë qenë edhe disa zyrtarë të BDI’së.

Disa minuta pasi qytetarët shqiptarë kishin filluar që të hidhnin gjësende në këtë përmendore, disa kalimtarë kanë njoftuar organet e rendit, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar rrënimin e saj- raporton agjencia e lajmeve INA.

Ndërkaq, në një grup të hapur në rrjetin social në Facebook, është bërë thirrje që sot të dilet në protestë për heqjen e përmendores së Car Dushanit.

Në mesazhin e dërguar në Facebook thuhet se dalja do të jetë në dobi të shtetit maqedonas.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë. Ju ftoj të gjithëve që nesër në orën 12.00 të më bashkëngjiteni në përpjekjen për ta rrënuar përmendoren e Car Dushanit, te ura “Syri” (Oko) në sheshin “Makedonija”. Si një nga qytetarët që duan t’i ndihmojnë Qeverisë së Maqedonisë, Qytetit të Shkupit dhe Komunës Qendër, i ftoj qytetarët e këtij vendi që bashkërisht ta largojmë një shtatore që është vendosur në qendër të Shkupit pa lejen dhe porosinë e asnjërit prej institucioneve të lartpërmendura. Me këtë letër u drejtohem edhe të gjitha mediave të shkruara dhe elektronike që ta përcjellin këtë ngjarje, duke besuar thellësisht se jemi duke bërë një vepër në dobi të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe të ardhmes së vendit tonë”- ka shkruar në Facebook, organizatori i kësaj proteste Afrim Gashi.

Siç raporton televizioni ALSAT-M, vendosja e përmendores së Car Dushanit në qendër të Shkupit është premtuar dhe paralajmëruar në Kongresin e Partisë Demokratike Serbe në Maqedoni, nga lideri i saj Ivan Stoilkoviq muajin e kaluar.

“Këto ditë, pas plot 6 shekujsh edhe Car Dushani i shenjtë na kthehet në Shkup dhe prej nesër edhe ju si edhe gjeneratat e ardhshme serbe në këto vise, do të keni mundësi që ti shëtisni fëmijët në Urën e civilizimeve ku do të vendoset përmendorja e madhe, dhe t’u tregoni se çfarë heroi serb ka qenë, se në kohën e tij Shkupi ka qenë kryeqendra e një mbretërie të madhe”, citohet të ketë thënë Stoilkoviq.

Në Kongresin e Partisë Serbe, mysafire kishte qenë edhe Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, si përfaqësuese e partnerit të koalicionit VMRO DPMNE. Megjithatë edhe pse prezente në Kongres, Jankullovska nuk e ka dëgjuar këtë premtim të Stoilkoviqit, dhe as nuk ka njohuri për institucionin që ka financuar dhe porositur përmendoren e Carit.

“Unë isha prezente në pjesën e hapur për mysafirët, kështu që nuk mund të flas për të gjithë rendin e ditës dhe vendimet që janë vendime brenda-partiake dhe janë miratuar në organe të ndonjë partie politike, qoftë ajo Partia Demokratike Serbe. Por me gjithë qejf morra pjesë në atë Kongres, në emër të bashkëpunimit të mirë, në kuadër të koalicionit ‘Për Maqedoni më të mirë’”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.