Shqiptarët të përçarë rreth themelimit të Asociacionit në Luginë?

Mediumi serb B92, vetëm një ditë para mbledhjes të krerëve shqiptarë në Luginë të Preshevës ka botuar një artikull ku trajton arsyet se përse shqiptarët kërkojnë të themelojnë Asociacionin e Komunave me shumicë Shqiptare në Serbi, duke e ndjekur modelin e themelimit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Lajme

11/09/2015 17:37

Sipas B92, përveç takimit të përfaqësuesve që kërkojnë Asociacion, do të takohen edhe partitë shqiptare që e refuzojnë këtë iniciativë, transmeton Indeksonline.

Gjithmonë, sipas b92, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve, Partia për Veprim Demokratik dhe Bashkimi Demokratik i Luginës janë tri partitë shqiptare që tashmë kanë braktisur iniciativën për themelimin e Asociacionit, dhe kanë anuluar prezencën e tyre në mbledhjen e nesërme në Preshevë.

Presidenti i Trupit për Koordinim për Serbinë e jugut, Zoran Stankoviq ka thënë se situata në Preshevë është ende stabile. “Çdo vendim që merret nesër në asnjë mënyrë nuk mund të rrezikojë sigurinë në këtë pjesë të territorit tonë. Një vendim i marrë që është në pajtim me Kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e minoriteteve në Republikën e Serbisë, nuk ka arsye të mos pranohet:, ka thënë Stankoviq.

Organizuesi dhe thirrësi i kësaj mbledhje, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, ka thënë se shqiptarët në Preshevë duan të drejtat e njëjta sikurse serbët që po themelojnë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Ndërkohë, sipas B92, zyrtarët kujtojnë se gjatë marrëveshjes në Bruksel për krijimin e ASK-së në Kosovë, nuk është përmendur asnjëherë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Shqiptare në Serbi.

“Deri në këto momente nuk ka shkelje të Kushtetutës. Do të shohim më vonë gjatë vjeshtës, dhe do të ndërmarrim masa adekuate sipas ligjit”, ka thënë Stankoviq, transmeton Indeksonline.

Gjatë ditës së djeshme Ministri për Punë të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq ka kërcënuar duke thënë se shqiptarët në Preshevë nuk duhet të luajnë me zjarrin por të respektojnë ligjet dhe rendin kushtetues të Serbisë.

Sot, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se po që se dikush cenon Kushtetutën serbe, Serbia nuk do të hezitojë të përdor forcën për të parandaluar këtë gjë.