Shqiptarët, pa lustrimin e dosjeve veç mund ta ëndërrojnë Brukselin

Shqiptarët veçse mund të ëndërrojnë Brukselin, derisa nuk i kanë kryer dy nga detyrat më të rëndësishme të shtëpisë; lustrimin e dosjeve dhe dënimin e krimeve komuniste.

Lajme

29/02/2016 16:18

 

Kështu konsideron gazetari Bajram Mjeku, sipas të cilit, shtetet e kampit komunist i sanuan me kohë këto çështje të ndjeshme për shoqëritë e tyre.

Shkrimi i plotë i Mjekut:

Shqiptarët, lustrimi i dosjeve dhe ëndrra për Brukselin

Shqiptarët veçse mund të ëndërrojnë Brukselin, derisa nuk i kanë kryer dy nga detyrat më të rëndësishme të shtëpisë; lustrimin e dosjeve dhe dënimin e krimeve komuniste.

Në dy parlamentet pati zhurmë, por jo edhe vullnet për t’i miratuar këto ligje. Shtetet e kampit komunist i sanuan me kohë këto çështje të ndjeshme për shoqëritë e tyre.

Lustrimi i dosjeve dhe dënimi i krimeve komuniste, varet nga vullneti politik. Republika e Kosovës duhet të lirohet nga laku i shërbimit sekret jugosllav me akronimin famëkeq UDB dhe Republika e Shqipërisë nga Sigurimi i Shtetit. Po të ketë vullnet, Parlamenti i Kosovës, këtë projekt mund ta realizojë me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.

Dosjet e bashkëpunëtorëve të UDB-së veç në bodrumet e Shërbimit sekret në Beograd, gjenden edhe në Lubjanë e Zagreb, ndërkohë që në Republikën e Shqipërisë ekziston rreziku që dosjet e Sigurimit të Shtetit janë zhdukur! Pa u sqaruar këto çështje, edhe marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Brukselit do të përfundojnë me ngërç.

Shqiptarët për model duhet të marrin Gjermaninë e bashkuar. Kur u shemb Muri i Berlinit në nëntor të vitit 1989, Qeveria gjermane vlerësoi: Secili gjermanolindor mund t’i ketë në duar dosjet e STAS-it, shërbimit më të frikshëm sekret në kampin komunist, i cili survejoi mbi një milion e shtatëqind mijë gjermanolindorë. Kombi gjerman zgjodhi mënyrën më të mirë. Sigurimsat e STAS-it as u ndoqën penalisht, as u lejuan me ligj të ngjiten sërish në krye të shtetit, siç ndodhi me shqiptarët pas rënies së kampit komunist.

Shqiptarët duhet të pastrojnë ndërgjegjen. Derisa mungon vullneti për mbylljen e shekullit të kaluar me shumë mistere, atëherë vazhdon të mbetet kombi më ndërgjegjevrarë në Evropë. Denoncimet dhe të fshehtat, shqiptarët në Shqipëri i mbajnë peng për gjysmë shekulli të regjimit komunist, ndërsa kosovarët plot një shekull gjatë sundimit serb. Shqiptarët i rëndon një fakt; policia jonë ishte më antikombëtarja në kampin komunist. Policia e fshehtë dhe publikja, nuk mund të ishin antikombëtare, pa qenë antikombëtare udhëheqjet e tyre.