Shqiptarët në Maqedoni përkrahin marrëveshjen me Greqinë

Faktori politik shqiptar në Maqedoni thekson se marrëveshja, Maqedoni-Greqi për zgjidhjen e kontestit të emrit i hap rrugë integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, megjithëse asnjëra nga partitë politike shqiptare nuk ka dashur të komentojë brendinë e saj pasi një gjë të tillë sipas tyre do ta bëjnë pasi të konsultohen me ekspertët.

Lajme

14/06/2018 16:49

Partitë politike shqiptare e kanë dënuar qëndrimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, që të mos e dekretojë marrëveshjen për çështjen e emrit të dakorduar mes qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, përmes së cilës i jepet fund kontestit që ka zgjatur më shumë se dy dekada e gjysmë.

Ky kontest ka bllokuar edhe procesin e integrimit të Maqedonisë në aleancën veri-atlantike dhe familjen evropiane.

Zëvendëskryeministri për çështje të Integrimeve, Bujar Osmani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vlerëson që 12 qershori shënon një nga tre nga datat kryesore të Maqedonisë si shtet që nga pavarësia e saj.

“8 shtatori ( 1991 mbajtja e referendumit për pavarësinë e Maqedonisë si shtet) 13 gushti (2001 ndëshkimi i marrëveshjes së Ohrit) dhe së fundmi 12 qershori i sivjetmë paraqesin data që definojnë të ardhmen e këtij vendi. Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë paraqet hapje të rrugës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. NATO është ajo që garanton stabilitet afatgjatë, siguri, zhvillim ekonomik dhe stabilitet politik. Integrimi në BE do të sjellë tek ne Evropën, ngritjen e standardit jetësor vende të reja të punës, gjithçka që është në frymën e vlerave evropiane”, ka thënë Osmani, i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Edhe partia shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët, pavarësisht se nuk është pjesë Qeverisë, ka shprehur gatishmëri që deputetët e kësaj partie të votojnë pro ratifikimit të marrëveshjes në fjalë në parlament, si dhe të përkrahin referendumin, përmes së cilit siç kanë thënë qytetarët do ta japin fjalën e fundit.

“Shpresoj në anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE, këto janë dy përfitime që dalin nga marrëveshja e që shqiptarët kanë tentuar t’i shtyjnë para prej para 25 vitesh. Shpresoj se tani me këtë marrëveshje gjërat do të futen në binarë të duhur dhe Maqedonia do të ecë me hapa të përshpejtuar drejt integrimit në NATO dhe BE”, ka theksuar Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Në vijë të njëjtë është edhe lëvizja BESA, e cila së fundmi me tre deputetët e saj u bë pjesë e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.

“Parimisht mbështesim çdo zgjidhje që nuk cenon interesat e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë që e zgjidh kontestin, që hapë perspektiva zhvillimore dhe që mundëson integrimin e vendit në NATO dhe BE, mirëpo meqë kemi të bëjmë me një çështje shumë serioze, qëndrimin tonë përfundimtar rreth brendisë së marrëveshjes do ta japim pasi të jenë konsultuar organet e partisë”, është shpehur Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa.

Përderisa Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë theksuar se brendinë e marrëveshjes do ta komentojnë pasi të jenë konsultuar me ekspertët, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani ka theksuar se nuk është momenti të flitet për çështjet e ndjeshme që kanë të bëjnë me riemërimin e institucioneve shtetërore dhe atyre publike, që në bazë të marrëveshjes parashihet të riemërohen në “i/e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Ajo që është me rëndësi është që të mbyllet kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë, të hapet rruga për integrimin e vendit në NATO dhe BE, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me implementimin e së njëjtës natyrisht se do të zgjidhen me kohë”, ka deklaruar Osmani.

Qeveria e Maqedonisë, në kuadër të seancës gjatë pasdites së të enjtes pritet të deklasifikojë marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, pas arritjes së ujdisë për emërimin e shtetit “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

E njëjta më pas duhet të nënshkruhet nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Aleksis Tcipras.