“Shqiptarët në Maqedoni e mbajnë nën tavolinë planin për krijimin e parlamentit shqiptar”

Njohësi i çështjeve politike të Maqedonisë, Muhamer Pajaziti ka thënë se ideja për ndarje dhe shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë do rindez konflikte të reja në rajonin e Ballkanit.

Lajme

28/07/2018 22:58

“Shqiptarët në Maqedoni ka një kohë që e mbajnë nën tavolinë planin për krijimin e parlamentit shqiptar, si dhe krijimin e asociacionit të komunave shqiptare të cilat do fillojnë të grumbullojnë taksa për t’i kthyer në investime në rajonet më të varfra shqiptare. Ky plan ishte më i përhapur gjatë regjimit të kaluar, por fatkeqësisht edhe qeveria e re nuk është treguar dorëlirë me projekte kapitale në zonat e banuara me shqiptarë”, ka vlerësuar Pajaziti.

Më tej ai ka thënë se shqiptarët sërish ndihen të mashtruar nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, të cilën e sollën në pushtet moton “Jetë për të gjithë”.

“Por e keqja është se qysh në fillim kanë plasur skandalet korruptuese nga njerëzit më të afërt të kryeministrit.  Statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve ka ngecur, ndërsa dihet se pabarazitë gjithmonë sjellin konflikte. Por një gjë dihet, këto ide për ndarje që nxisin konflikte burimin e kanë te lidershipi i korruptuar dhe i përfshirë në vepra të rënda kriminale. Në Maqedoni ndarja mund të rezultojë edhe nga mentaliteti maqedonas që akoma nuk e pranon diversitetin si pasuri dhe vlerë të shtuar”, ka shtuar ai.

Pajaziti në fund ka thënë se ndarja e Kosovës pa dyshim në këto rrethana do ta destabilizojë edhe Maqedoninë. Sipas tij, shqiptarët nuk do të presin pa kufi për t’i realizuar të drejtat elementare. /ZERI