Shqiptarët në Krime janë mirë

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë konfirmon se nuk ka pasur raportime për incidente në komunitetin shqiptar në Krime.

Lajme

05/03/2014 20:10

Në Ukrainë jeton një komunitet shqiptar prej 5000 vetash. Një pjesë e tyre janë të vendosur në zonën e Krimesë, gadishulli i cili prej disa ditësh rrezikohet nga lufta.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, konfirmoi zyrtarisht se nuk ka pasur raportime për incidente në komunitetin shqiptar në Krime.

Sipas MPJ, deri më sot nuk ka asnjë raportim specifik për problematika të shqiptarëve në Ukrainë.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet në Ukrainë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Moskë që përcjell me vëmendje zhvillimet në rajon, e cila gjithashtu mban kontakt me komunitetin shqiptar në Krime. Deri në këto momente nuk ka asnjë lloj raportimi specifik për situatën problematike atje. Nuk ka asnjë lloj informacioni që të ketë probleme për komunitetin shqiptar”, deklaroi MPJ.

Rreth një javë më parë, në protestat në sheshin “Mejdan” të Kievit protestuan dhe një grup prej 12 të rinjsh me origjinë shqiptare. Shqiptarët e Ukrainës u larguan nga zona e Korçës pas pushtimit turk dhe për 200 vjet jetuan në Bullgari.

Më pas, një pjesë e tyre u zhvendosën në Ukrainë dhe kanë 300 vjet që jetojnë në këtë shtet. Mësohet se ata janë të shpërndarë në disa zona të vendit, kanë ruajtur zakonet dhe traditat tona dhe e identifikojnë veten si shqiptarë.

(RTK)