Shqiptarët me dy deputetë në Kuvendin e Serbisë

Riza Halimi e Shaip Kamberi kanë marrë nga një mandat deputeti në Kuvendin e Serbisë. Zgjedhjet janë fituar bindshëm nga partia e Aleksandar Vucicit, ndërsa jashtë Kuvendit kanë mbetur partitë e Vojislav Koshtunicës dhe Çedomir Jovanoviqit.

Lajme

17/03/2014 15:07

Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë, Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit ka fituar dy ulëse deputetësh në Kuvendin e Serbisë.

Ky Komision sot ka bërë shpalljen e rezultateve dhe shpërndarjen e mandateve të deputetëve në parlamentin prej 250 ulësesh të Serbisë.

Sipas rezultateve të publikuara nga 99.08 e vendvotimeve të numëruara, koalicioni i mbledhur nga Partia Progresiste Serbe i Aleksandar Vucic ka marrë 158 mandate. Për këtë koalicion kanë votuar 1.727.444  qytetarë apo 48,34 përqind.

Partia Socialiste Serbe e Ivica Dacic ka dalë e dyta me 44 ulëse ndërsa Partia Demokratike ka fituar 19 deputetë.

Sa u përket subjekteve politike të pakicave, hungarezët kanë marrë 6 ulëse, boshnjakët e Sanxhakut 3 ulëse, ndërsa shqiptarët e tri komunave të Luginës së Preshevës 2 ulëse deputetësh pasi dje PVD mori më shumë se 24 mijë vota.

Në mandatin e kaluar, shqiptarët kanë pasur vetëm një përfaqësues në Kuvendin e Serbisë.

Jashtë Kuvendit të Serbisë kanë mbetur partitë e Vojislav Koshtunicës dhe Çedomir Jovanovicit, pasi nuk mundën ta arrijnë pragun zgjedhor prej 5 përqind të votave.