Shqiptarët, Isaac Newton dhe Teoria e Gravitetit

Ditë dhe natë flasim kot fare për bashkimin kombëtar, e nuk jemi në gjendje të krijojmë mekanizma të mirëfilltë të bashkëpunimit midis Qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Opinion

20/10/2016 10:36

Rrëfimi për Isaac Newton-in, mollën dhe Teorinë e gravitetitit mbase është i njohur për të gjithë ne.

Rrëfimi për mungesën e Ligjit të gravitetit tek politika shqiptare në përgjithësi, ajo që të lidhë për ‘Tokë të bukës’, si thuhet ndër ne, po bëhet gjithnjë e më i ditur.

Rasti i mbramë që e ri-dëshmoi këtë fakt përkon me gjithë rrëmujën që u krijua në politikën dhe në mediat në Kosovë dhe në Shqipëri, gjatë dhe pas vizitës së Edi Ramës, Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, ku pos tjerash, pati disa takime me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq-in.

Njëra nga akuzat e ndërsjella që u dëgjua dhe u shkrua në te dy anët e politikës shqiptare, kishte të bënte me ‘përzierjen në punët e brendshme’ të shteteve përkatëse, apo, të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Mbase, ky është një zhvillim i ri, që patjetër duhet marrë parasyshë, në mos edhe duhet përshëndetur.

Elitat politike shqiptare në të gjitha anët e tyre, janë të njohura si goxha parimore në mos-përzierjen në punët dhe obligimet e veta të brendshme, apo, në mos-ndërhyrjen në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve kyç të politikës dhe shoqërisë të këtyre dy shteteve.

Së paku deri tash, me përjashtime të rralla individuale dhe kohore, politikat shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk janë treguar shumë të interesuara me u marrë me temat kryesore politike dhe ekonomike të këtyre shteteve. Edhe në rastet kur diçka e tillë ka ndodhë, në masë të madhe, kjo ka qenë pasojë, në radhë të parë, e ndikimit a presionit të ushtruar nga SHBA-ja dhe Perëndimi në përgjithësi. A mbani në mend ndonjë zhvillim të rëndësishëm viteve të fundit, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, që ka qenë rezultat i zotimit dhe i punës së vetë politikanëve shqiptarë?

Vështirë është të gjindet diçka e tillë.

Sikur elitat politike në Shqipëri dhe në Kosovë të ishin përzier njëmend në punët e tyre të brendshme, Zoti e di se sa mirë do t’i kishim punët në te dy anët e gjeografisë shqiptare që njeh dy shtete të veçanta.

Ta zëmë, Shqipëria do të ishte me siguri disa hapa më afër anëtarësimit në BE sesa Serbia. Po të ishte kështu, është lehtë të paramendohet se çfarë pozicioni negociator do ta kishte Kosova në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Beogradi në fakt, nuk do të kishte fare hapësirë politike manovruese, dhe dialogu i Brukselit, do të ecte më shpejtë dhe gjithsesi në drejtimin e synuar prej Kosovës.

Ta zëmë, sikur ne në Kosovë të ishim preokupuar sa dhe si duhet me kryetemat e politikës kosovare, s’do mend që do ta kishim përmbyllur me sukses çështjen e Liberalizmit të vizave, midis tjerash.

Sidoqoftë, debati që plasi a shpërtheu sërish në relacionet midis politikanëve, opinionistëve dhe gazetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, ri-dëshmoi që ne, në masë të madhe, nuk e njohim pra

‘Teorinë e gravitetitit’ në politikë, nuk e dimë në cilën kohë jetojmë dhe çka duhet bërë që përfundimisht t’i lidhim për realitetin vendor, rajonal dhe ndërkombëtarë Kosovën dhe Shqipërinë.

Mbi të gjitha, nuk mund dot të kuptohet se si Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, janë në gjendje, për çdo vit të lumë, që prej 2014-tës e këndej, të na ofrojnë spektakle politike dhe diplomatike të takimeve midis dy qeverive, në të cilat flitet për shumë tema të mundshme, ndërsa këto dy qeveri, nuk janë të afta të bëjnë konsulta fare elementare për ngjarjet siç ishte kjo e fundit, e vizitës së

Kryeministrit Rama në Serbi, e cila ndryshe është paralajmëruar tash e sa kohë.

Ditë dhe natë flasim kot fare për bashkimin kombëtarë, e nuk jemi në gjendje të krijojmë mekanizma të mirëfilltë të bashkëpunimit midis Qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilët do të mundësonin bashkërenditjen në veprimet dhe politikën rajonale dhe ndërkombëtare të këtyre dy shteteve.

Fjala magjike pra këtu është bashkëpunimi dhe koordinimi midis dy Qeverive dhe dy politikave. Në mungesë të këtij bashkëpunimi, do të ketë dëme të reja për interesat e Kosovës dhe Shqipërisë.

Por ja që këtu sërish vjen momenti i Isaac Newton-it.

Gjeniu anglez, e pa të udhës, në fund të jetës së tij të thotë që mund të llogarisë lëvizjen e trupave qiellorë, por jo edhe marrëzinë e njerëzve.

Këtu, para saj, edhe Newton u dorëzua.