Shqiptarët e sëmurë përfitojnë dy fish në Francë

Azilkërkuesit nga Kosova e Shqipëria në Francë, përveç që përfitojnë trajtim shëndetësor për dializë dhe transplantim të veshkave, me këtë ata fitojnë edhe statusin e azilit në këtë shtet. 

Bota

07/08/2014 12:24

Një numër, gjithnjë e në rritje i të huajve, duke përfshirë edhe shqiptarët, po e përdorin sistemin e azilit në Francë për të marrë trajtim mjekësor falas, për sëmundje të rënda.

Sipas gazetës “Le Monde”, mjekët në qytetin e Lionit shprehen të shqetësuar se emigrantë nga Shqipëria, Kosova dhe Gjeorgjia, me probleme serioze në veshka, vijnë në Francë për të përfituar trajtim mjekësor falas, duke shfrytëzuar kërkesat për azil.

Profesori Emmanuel Morelon, kreu i shërbimit të transplanteve në spitalin “Edouard Herrito”, pavarësisht problemit, thotë se ai nuk beson se kjo çështje duhet të bëhet pjesë e diskutimit të ligjit të emigracionit në parlamentin francez, pasi do t’i jepte pikë tezës anti-emigracion të Frontit Nacional, partisë së ekstremit të djathtë që po vjen në rritje.

Por fluksi në rritje i pacientëve në repartin e dializës, që mund të trajtojë vetëm 24 pacientë njëherësh, është i papranueshëm.

Teksa ai nuk sheh asgjë të re tek fakti se kërkesat për azil përdoren për të marrë trajtim mjekësor falas, profesor Morelon sqaron se rritja e kërkesave për trajtim falas të sëmundjeve të veshkave në Lion, përbën një rast unikal.

Si funksionon skema:

“Zakonisht, këta njerëz, me të mbërritur në stacionin e trenit të Lionit, teksa duket se nuk janë mirë, dërgohen në urgjencën e qytetit”, shpjegon Profesor Morelon për “Le Monde”.

“Mjekët në spital raportojnë më pas, se këta persona kanë nevojë urgjente për dializë. Dhe këta pacientë nisin trajtimin mjekësor dhe njëherazi bëjnë kërkesë për azil”.

Franca u garanton azil refugjatëve që vijnë nga vende që konsiderohen të pasigurta.

Shqipëria, Kosova dhe Gjeorgjia nuk janë pjesë e tyre.

Por sapo regjistrohen në sistemin e azilit, është tepër e vështirë që t’i largosh nga spitali pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, nëse ata nuk e kanë të mundur të marrin trajtim të plotë mjekësor në vendet e tyre.

Procedurat e sistemit të azilit në Francë u lejojnë atyre që pretendojnë të fitojnë azilin, që të marrin trajtim mjekësor falas tre muaj pasi aplikojnë për azil. Gjatë kësaj kohe, ata e shënojnë emrin në listën e pritjes për transplant.

“Le Monde” shpjegon se koha e pritjes për transplant është më e gjatë sesa ajo e përgjigjes për kërkesë për azil.

Por gjatë kësaj kohe, gjendja e pacientëve konsiderohet si e rëndë, mjaftueshëm që ata të marrin statusin si “të huaj të sëmurë”.

Sistem i organizuar:

Duket si një sistem i organizuar. “Le Monde” thekson se të ashtuquajturit “refugjatë mjekësorë” mbërrijnë në Lion, duke pasur informacion të plotë se si mund ta shfrytëzojnë sistemin shëndetësor falas në Francë.

Janë të pajisur me emrat dhe adresat përkatëse të qendrave të dializës në qytet dhe e pranojnë hapur se vijnë në Francë posaçërisht për çështje shëndetësore.

Jean-Louis Touraine, një mjek që është edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare Socialiste dhe anëtar i rajonit të Rhonit, (që përfshin Lionin), është një nga ligjvënësit që qëndron pas draftit që iu paraqit parlamentit francez në korrik, i cili kërkon reformimin e sistemit të azilit në Francë.

Ai thotë se trajtimi mjekësor nuk mund t’u refuzohet azilkërkuesve, por shpjegon se buxheti shëndetësor i Francës nuk është diçka pafund. (oranews)