Shqiptarët e pranojnë ndarjen e Kosovës, thotë Daçiq

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, po pretendon se ndarja e Kosovës ka qenë një zgjidhje e pranueshme për palën kosovare, mirëpo me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, kjo ide nuk mund të realizohej.

Lajme

27/05/2018 18:38

“Vazhdoj të them, për shembull, se shqiptarët, pa këshilltarët dhe drejtuesit e tyre, pranojnë që ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë edhe për ata. Madje disa liderë shqiptarë këtë ma kanë thënë hapur”, u shpreh Daçiq.

Madje sipas tij, kjo ide paraqiste edhe zgjidhjen më të mirë për krerët shtetërorë të Kosovës.

“Më duhet ta pranoj se Vuçiq ka marrë një barrë të rëndë mbi vete për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nuk është e lehtë që të bindet një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare që të rishikohen gabimet e tyre. Shumë nga perëndimi nuk duan të pranojnë asgjë tjetër pos përmbushjes së kërkesave të palës tjetër. Mirëpo kështu nuk funksionon. Shqiptarët të gjitha, e serbët asgjë. Çfarë kuptimi do të kishin negociatat atëherë”, shtoi Daçiq.

Daçiq u ankua edhe për mënyrën e negocimit nga pala kosovare, duke thënë se është e vështirë të dialogohet me ta.

“Është e vështirë të negociohet me Pacollin, Thaçin dhe Haradinajn. Madje e patë që gjatë argumenteve tona në Këshillin e Sigurimit, Vlora Çitaku përmendte Milosheviqin. Mjaftë, ai është i vdekur tashmë, të zgjidhim problemet. Ata nuk kanë përmbushur asnjë nga marrëveshjet e Brukselit, mirëpo shihet qartë se munden, ngase askush nuk po u bën presion atyre”, përfundoi Daçiq.

Ndryshe, Daçiq qe një kohë të gjatë është në fushatë kundër rritjes së numrit të shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën, numër ky që ai thotë se do të bije nën 100./Lajmi.net/