Shqiptarët e ndërrojnë furçën e dhëmbëve çdo 3 vjet

Shqiptarët janë të fundit në Evropë sa i përket kujdesit për dhëmbët. Kështu thuhet në një studim të realizuar nga Euromonitor International.

Lifestyle

12/09/2014 21:33

Në studim thuhet se edhe pse furça e dhëmbëve duhet ndryshuar njëherë në tre muaj, ka shqiptarë që e ndryshojnë njëherë në tre vjet.

Shqiptarët shpenzojnë vetëm 1.5 euro në vit për kujdesin oral, kurse në Perëndim kjo shifër shkon deri në 14.9 euro.

Në Shqipëri konsumohet 75 ml/vit pastë dhëmbësh, që i korrespondon një paste dhëmbësh në vit. Në Kosovë konsumojnë 100 ml/vit, kurse në vende si Italia konsumohet deri në 417 ml/vit, transmeton Lajmi.net.

Dentistët thonë se problemi është se 60 për qind e shqiptarëve kanë dhëmbë të prishur në gojë, por i drejtohen mjekut vetëm kur janë në gradë të fundit.

Shqiptarët kanë tre herë më shumë dhëmbë të prishur se në BE. Kështu, në Shqipëri një person ka 4 dhëmbë të prishur mesatarisht, kurse në BE 1.2 dhëmbë.

Vetëm 7 për qind e fëmijëve bëjnë kontroll të rregullt dentar, ndërkohë që mbi gjysma e tyre konsumojnë shumë ëmbëlsira, që është armiku kryesor i dhëmbëve.