Shqiptarët e Luginës më të diskriminuarit në Europë

Vlora Çitaku është shprehur e shqetësuar me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ajo thotë se komuniteti shqiptar që jeton në Luginë është më i diskriminuari në Europë.

Lajme

05/11/2013 12:49

Ministrja e Integrimeve Europiane Vlora Çitaku e cila ka vizituar dje Luginën e Preshevës, ka shprehur shqetësimin e saj me gjendjen e rëndë të komunitetit shqiptar që jeton atje.

Ministrja Çitaku tha se shqiptarët e Luginës janë më të diskriminuarit në Europë andaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta ndihmojë këtë komunitet sidomos në fushë e arsimit.

“Më duhet të them me keqardhje që shqiptarët në Luginën e Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar sot në Europë”.

“Ka qenë një përvojë jashtëzakonisht prekëse dhe emocionale për mua si zyrtare e Qeverisë së Kosovës të shoh me sytë e mi gjendjen jo të lakmueshme në të cilën jetojnë sot shqiptarët në një shtet i cili është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

“Ne duhet të shohim mundësinë e hapjes së një dege qoftë të Universitetit ‘Kadri Zeka’, qoftë të Universitetit të Prishtinës atje apo të shohim rritjen e numrit të bursistëve nga këto komuna në Universitetet Publike të Kosovës”.

“Kurrikula shkollore me të cilën mësojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës është e kaluar. Është një kurrikulë e cila është aprovuar para 40 vitesh”.

Ajo gjithashtu ka ftuar të gjithë ministrat e Qeverisë që të bëjnë kërkesë për vizitë në Luginën e Preshevës, pavarësisht refuzimeve që mund të vijën nga Beogradi.