Shqiptarët e Botërorit

Kosova dhe Shqipëria nuk do të marrin pjesë në Botëror, por shqiptarët do t’i kenë ambasadorët e tyre në Brazil. Do të jenë gjashtë futbollistë shqiptarë që do të luajnë në Botëror.

Sport

02/06/2014 20:09

Shqipëria dhe Kosova nuk do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror “Brazil 2014”, por kjo nuk nënkupton se në evenimentin që do të mbahet në Brazil nuk do të ketë futbollistë shqiptarë.

Në fakt, kombi ynë do të përfaqësohet me gjashtë ‘ambasadorë’ në kompeticionin më të madh të futbollit botëror, i cili do të fillojë pas 10 ditësh.

Zvicra do të jetë më e ‘populluara’ me pesë shqiptarë: Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Admir Mehmedi, ndërsa Pajtim Kasami ka mbetur jashtë listës, shkruan “Zëri”.

E Belgjika do ta ketë një shqiptar. Bëhet fjalë për Adnan Januzajn, i cili e zgjodhi ekipin e Marc Wilmots në muajin prill dhe menjëherë u ftua për Botëror.

Përpos Kasamit, jashtë Botërorit ka mbetur edhe Arijan Ademi i Dinamo Zagrebit, i cili pritej të ftohej nga Kroacia, e cila megjithatë në fund e la në shtëpi.

Kurse, ‘goditjen’ e fundit e pësoi Shkodran Mustafi sot. Qendërmbrojtësi shqiptar nuk u përfshi në listën definitive të Gjermanisë dhe do ta shikojë Botërorin vetëm përmes televizorit.

Sidoqoftë, ky do të jetë një rekord shqiptarësh në një eveniment të tillë, pasi asnjëherë më parë nuk kanë marrë pjesë gjashtë bashkëkombës tanë.

Me siguri, secili shqiptar mburret me ta dhe do të bëjë tifo për ta, pavarësisht se cilin vend e përfaqësojnë.