Shqiptarët, 1 miliard dollarë në banka

Pasuria që familjet shqiptare kanë investuar në sistemin financiar arriti në 1 mijë e 127 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard dollarë në fund të vitit të kaluar.

Lajme

20/04/2017 20:52

Shifra është bërë publike nga Banka e Shqipërisë, e cila raporton se në tre vitet e fundit ajo është rritur me 9.5 për qind. Asetet financiare zënë një pjesë të rëndësishme të pasurisë së përgjithshme të familjeve.

Por ku kanë preferuar saktësisht shqiptarët të ruajnë ose investojnë kursimet e tyre? Sipas Bankës së Shqipërisë, instrumenti kryesor janë depozitat në valutë.

Familjet shqiptare kanë investuar 476 miliardë lekë si depozita në monedhë të huaj, kreysisht euro. Kjo përbën 42.3 për qind të totalit të pasurisë që ato kanë investuar në sistemin financiar, shkruan tch.

Pas depozitave në valutë, në vend të dytë vijnë kursimet në monedhën kombëtare, të cilat zënë 40.3 për qind të totalit. Pjesa e mbetur është ndarë thuajse në mënyrë të barabartë mes bonove të thesarit, obligacioneve dhe fondeve të investimit.

Mënyra se si familjet e administrojnë pasurinë e tyre ka ndryshuar jo pak gjatë viteve të fundit. Vetëm 6 vjet më parë shqiptarët e mbanin pjesën dërrmuese të pasurisë së tyre në depozita dhe bono thesari.

Kurse tani, familjet po investojnë edhe në instrumenta të tjerë më pak tradicionalë si fondet e investimeve apo obligacionet afatgjatë.