Shqiponjat bojkotojnë Pejën

Grupi i tifozëve ‘Shqiponjat’ nga Peja i kanë dhënë fund durimit, duke vendosur ta bojkotojnë ekipin e tyre të zemrës, pasi nuk po mund të pajtohen me gjendjen në të cilën ka ardhur klubi verdh e zi. Kampioni i Kosovës u mposht dy herë brenda katër ditësh nga rivali i përbetuar, Sigal Prishtina, fillimisht në…

Sport

10/03/2014 07:40

Grupi i tifozëve ‘Shqiponjat’ nga Peja i kanë dhënë fund durimit, duke vendosur ta bojkotojnë ekipin e tyre të zemrës, pasi nuk po mund të pajtohen me gjendjen në të cilën ka ardhur klubi verdh e zi.

Kampioni i Kosovës u mposht dy herë brenda katër ditësh nga rivali i përbetuar, Sigal Prishtina, fillimisht në Ligën Ballkanike e më pas edhe në ETC Superligë.

Paraqitjet e zbehta të pejanëve në ndeshjet e fundit bënë që ‘Shqiponjat’ t’i lënë anash më të dashurit e tyre.

“Nuk e kemi pasur plan asnjëherë ta bëjmë një gjë të tillë, mirëpo ky është kulmi. Është vdekje për ne ta shohim klubin në gjendje të tillë. Nuk i fajësojmë djemtë tanë për asgjë, por janë disa gjëra tjera në pyetje, të cilat tashmë janë evidente dhe po i shohin të gjithë”, është fillimi i komunikatës së lëshuar nga ky grup tifozësh, që udhëhiqet nga kryetari Nermin Ferizi.

‘Shpiponjat’ e kanë sidomos me kryesinë e klubit, me të cilën nuk janë të kënaqur, pasi kohëve të fundit flitet se në këtë klub është evidente edhe kriza ekonomike.

“Nuk duam Sllobodana e Bobana të na e udhëheqin Pejën e ta dërgojnë atë në shkatërrim. KB Peja ka bërë emër edhe në Ballkan, e nuk duam që atë ta shkatërrojë një individ. Pra, ‘Shpiponjat’ e bojkotojnë klubin deri në ditën kur disa individë të largohen nga klubi”, vazhdon komunikata.

Ata nuk duan të jenë objekt talljesh, pasi konsiderojnë se nuk e meritojnë një gjë të tillë. Për këtë, ‘Shqiponjat’ me keqardhje i njoftojnë të gjithë tifozët pejanë, se udhëtimi për në Tivat, i cili ishte paraparë të bëhej për ta përkrahur KB Pejën, është anuluar, edhe pse gjithçka ishte gati për këtë udhëtim.