Shqipërisë mund t’i rikthehet regjimi i vizave

Nuk është më një paralajmërim i ri, por i përsëritur disa herë. Shqipërisë mund t’i rivendoset regjimi i vizave nëse kërkesat për azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk do të ndalen.

Lajme

13/10/2014 22:12

Ky është paralajmërimi i ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hofman, njofton gazeta Shekulli.

Ambasadori gjerman ka thënë nga Shkodra se kjo gjë është kthyer në një strategji për ata persona që udhëtojnë jashtë pa nevojën e vizave, për të kërkuar më pas qëndrim të përhershëm në shtetet e Evropës.

“Çështja e azilkërkuesve është kthyer në një problem serioz. Numri i tyre po pëson një rritje dramatike. Vetëm 1 në 100 vetë fiton azil politik për shkak të gjendjes ekonomike. Këtu bëhet fjalë për emigracion”, tha Hofman.

Nëse kjo prirje nuk ndalet, Hofman paralajmëron se Shqipëria mund të rikthehet sërish në regjimin e vizave.

“Po të vazhdohet më këto ritme, sigurisht që mund të rrezikohet rikthimi vizave. Situata është nën vëzhgim dhe masat që mund të merren do të jenë të rrepta”, tha ai.

Rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në BE, kryesisht nga veriu i vendit, u pasqyrua edhe në raportin e fundit të Eurostatit, i cili e rendit Shqipërinë në vendet më problematike sa i përket kërkesave për azil.