Shqipëria s’e bllokon Serbinë në intergimin e saj në NATO

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se Shqipëria nuk do të bllokojë procesin e integrimit të Serbisë në NATO.

Lajme

10/11/2014 23:12

Ai këto deklarata i bëri gjatë takimit të organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, ku pyetja iu bë duke risjellë qëndrimin e Shqipërisë menjëherë pas ndeshjes, në programin e partneritetit me NATO-n.

“Nuk ishte veto, ishte shqetësim që Shqipëria shprehu, sepse kështu funksionon NATO. Familja e NATO-s është një grup vendesh që mbartin disa vlera dhe principe të përbashkëta, që kanë dhe ndajnë respektin për njëri-tjetrin. Por respekti për njëri-tjetrin këtu mungoi për pak kohë pas evenimentit të sportit që u përmend edhe këtu. Pra ky ishte diskutim dhe jo veto. Sa na takon ne, nuk ka asnjë ide për të bllokuar integrimin atlantik të Serbisë, përkundrazi ne mbështesim dhe inkurajojmë çdo hap”, tha Rama.

Në forumin ku kreu i qeverisë shqiptare foli për avantazhin e një tregu të përbashkët, pyetjet për shqiptarët e Luginës ishin theksi që mbylli edhe forumin.

“Ajo që mund të them është se ne patëm një diskutim të plotë me Kryeministrin e Serbisë për këtë çështje dhe unë mendova që ai është tejet i interesuar për mendimet e mia për këtë çështje, sikundër dhe qasjen që kanë shqiptarët e Luginës kundrejt nesh. Ai më shpjegoi situatën në përgjithësi, më premtoi që ai do të interesohet për kushtet e tyre pasi unë t’i kem dëgjuar ata. Megjithatë unë besoj se ne duhet të vëmë theksin tek arsimimi kudo ku jetojnë, kudo ku ka pakicë sepse unë besoj se s’kemi dallime të mëdha në kuptimin që sa me shumë t’i japim të rinjve tanë mundësinë për t’i arsimuar aq më mirë do t’i përgatisim ata për të ardhmen. Pra ne do të flasim me hollësi. Ajo që ne jemi angazhuar në këtë bashkëpunim, do të jetë edhe për të mirën e shqiptarëve në Serbi. Ky nuk është vetëm detyrimi im etik, por edhe detyrimi im kushtetues për të folur me zë të lartë për të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Por për të qenë i sinqertë deri në fund me ju, unë sot kam më shumë besim se sa kisha dje për të ardhmen e Luginës”, deklaroi Rama, transmeton Koha.net.