Shqipëria po përballet me emigracionin më të madh që nga koha e pas-komunizmit

Shqiptaret po largohen masivisht në emigracion. Sipas një studimi të INSTAT në Shqipëri në vitin 2014, rreth 50 mijë shqiptare kanë lënë vendin, me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Shifrat e largimit të kujtojnë eksodin masiv, pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

Lajme

18/04/2015 20:21

Numrat tregojnë se shqiptarët kanë humbur shpresën dhe po largohen në masë drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas një studimi të INSTAT në vitin 2014, rreth 50 mijë shqiptarë kanë lënë Shqipërinë, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Rreth 72% e të intervistuarve renditën papunesinë në vendin e parë si arsyen kryesore të braktisjes së vendit të tyre.

Nderkohë që në 2014 ky fenomen kaloi pa bërë shumë zhurmë, situatë në tremujorin e parë të 2015, vuri në lëvizje shumë faktorë.

Alarmin e parë e dhanë autoritetet gjermane, teksa publikuan një liste ku Shqipëria renditej e treta në botë me rreth 7000 kërkesa për azil vetëm në tre muajt e parë të këtij viti.

Nderkohë që nga autoritetet shqiptare nuk pati as një reagim, alarmi i radhës erdhi vetëm një ditë më vonë nga zv.drejtori i policisë austriake Franz Lang, i cili tha se mbrapa këtij fenomeni qëndron krimi i organizuar, dhe se autoritetet policore europiane kanë ndaluar më shumë se 100 persona.

Por duket se këto thirrje nuk kanë shërbyer për asgjë.

Situata e rënduar ka detyruar drejtorin e sapo emëruar në krye të Policisë së Shtetit, Haki Cako, që të marrë masa urgjente, Cako tha se Shqiperisë mund t’i rikthehet regjimi i vizave.

Edhe zv.drejtori i përgjithshëm i policisë kufitare dhe të migracionit Genc Merepeza shpjegoi se ky rrezik është real, dhe se kjo masa nuk është marrë vetëm për faktin se Shqipëria pranon të gjithë të deportuarit nga vendet e bashkimit europian.

Ndërkohë që pasojat e këtij eksodi mund të zhbëjnë një standard që shqiptarët e kanë arritur më shumë mund në 2010, lëvizjen e lirë për vendet e zonës shengen, ky çështje duket se nuk e shqetëson shumë kryeministrin Edi Rama, teksa limitohet të bëjë vetëm një apel duke thënë se shqiptarët po mashtrohen nga disa elementë kriminal. (ABC)