Shqipëria po bëhet gati t’i presë 4 mijë refugjatë

Qeveria shqiptare ka nisur përgatitjen për pritjen e refugjatëve sirianë, nëse një gjë e tillë do t’i kërkohet në ditët në vijim nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatet, UNHCR.

Lajme

20/09/2015 10:08

Dy burime qeveritare, në kushtet e anonimatit, i thanë Top Channel se disa ditë më parë, gjatë një takimi me 7 ministra, zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka kërkuar ngritjen e një mekanizmi për të marrë masat në kushte nevoje.

Ndërkohë, të hënën, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, pritet ngritja e një komiteti ndërministror, i cili do të koordinojë punën nëse vendit tonë do t’i kërkohet pritja e emigrantëve. Ky komitet do të shikojë mundësinë e kapaciteteve strehuese për sirianët.

Kjo lëvizje e qeverisë shqiptare vjen pas disa takimeve të përfaqësuesve të UNHCR­së, të cilët gjatë bisedimeve me zyrtarët shqiptarë kanë hedhur idenë për strehimin në Shqipëri të 3.000 deri në 4.000 refugjatëve nga vendi i udhëhequr nga Bashar al Assad.

UNHCR gjithashtu mësohet të ketë kërkuar që Shqipëria të shërbejë edhe si një bazë regjistrimi për refugjatët.