Shqipëria nuk kalon ngërçin, bisedimet PS-PD pa rezultat

Deputetët e PD-së, ende do të mbesin jashtë Kuvendit të Shqipërisë, duke vazhduar ta bojkotojnë atë.

Lajme

23/12/2014 23:02

Kthimi i tyre brenda sallës së Kuvendit nuk u arrit, as pas pesë orë bisedimesh mes tyre dhe Partisë Socialiste e cila është në pushtet.

E vetmja gjë konkrete, siç raporton Top Channel nga këto bisedime është firmosja e propozimeve të Kukan dhe Fleckenstein nga ana e mazhorancës, përkatësisht nga Vasili dhe Balla, ndërkohë që mungojnë firmat e opozitës.

I pari që doli nga takimi ishte i mandatuari i demokratëve, Genc Pollo. Ai tha se kërkesat e Partisë Demokratike janë të njohura tashmë prej kohësh.

“Kemi rënë dakord që këtë bazë parimesh ta kthejmë në rezolutë. Kemi vënë një afat 6-mujor për përmbushjen e këtyre parimeve. Kemi rënë dakord për një sërë çështjesh, ndërsa për çështje të tjera, bisedimet do të vazhdojnë”, tha Pollo.

Mbi kërkesat e opozitës u ndërtua edhe marrëveshja e propozuar nga Kukan e Fleckenstein. Por në bisedime, sipas mazhorancës, opozita mbërriti me dy kërkesa të reja.

“Mbështetëm deklaratën dhe më pas draft-marrëveshjen e ofruar nga europarlamentarët. Por në takim, përfaqësuesit e PD na informuan edhe me dy pika të tjera, që nuk ishin në frymën e parimeve që eurodeputetët negociuan. Ne si mazhorancë jemi të gatshëm që marrëveshjen e propozuar nga PE ta shndërrojmë në rezolutë në Kuvend, por shtesat nuk janë në dobi të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi deputeti socialist, Taulant Balla.

Marrëveshja e propozuar nga PD

 

1. Për të konfirmuar vendosmërinë e plotë , në mënyrë imediate për të zbatuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky zbatim duhet të ndërmerret direkt dhe në frymën e besimit nga institucionet përgjegjëse. Partitë politike do të amendojnë ligjet relevante përfshi procedurën parlamentare dhe atë të këshillit të ministrave në mënyrë që të ndërtohet një kornizë ligjore e qartë me obligimet dhe përgjegjësitë, procedurat dhe afatet e nevojshme në mënyrë të implementimit sistematik të ligjeve. Partitë angazhohen pa asnjë vonesë në ngritjen e komisioneve hetimore përmes miratimit me një të katërtën të votave. Shumica e komisioneve hetimore duhet të kontrollohet nga pala kërkuese.

2. Partitë duhet të ndërmarrin një rezolutë përfshi hapa solid për dikriminalizimin e deputetëve të tanishëm dhe të ardhshëm në parlament bazuar në praktikat më të mira të Parlamentit Europian. Kjo do të arrihet me amendimin e ligjit si dhe në kontrollin periodik të integritetit të deputetëve si për të tashmen dhe të ardhmen e tyre kriminale brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

3. Partitë do të adoptojnë ndryshime në rregulloren e procedurës parlamentare e cila duhet të garantojë kohë të barabartë mes Kryeministrit dhe drejtuesit të opozitës në parlament, përfshi përgjigje për çdo ndërhyrje të kryeministrit gjatë seancave plenare. Mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej 3 të 5tave në parlament duke anashkaluar opozitën.

4. Partitë përshëndesin rrolin e parlamentit europian si mbështetës dhe dëshmitarë të kësaj marrëveshje duke marrë rrol monitorues për zbatimin e saj.