Shqipëria ndryshon formacionin, kështu kundër Lihtenshtajnit (FOTO)

Shqipëria do të paraqitet me ndryshime në formacion në duelin ndaj Lihtenshtajnit.

Sport

06/10/2016 14:55

Gianni De Biasi ka vendosur që të përdorë një formacion ofensiv në ndeshjen kundër Lihtenshtejnit, duke ditur edhe presionin që ka kjo ndeshje për t’u fituar nga ana e Shqipërisë.

Prej futbollistëve që janë të padiskutueshëm nga minuta e parë në të dyja takimet, si në mbrëmjen e sotme, ashtu edhe kundër Spanjës, do jenë Etrit Berisha në portë, Elseid Hysaj në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe Mavraj me Gjimshitin në qendër. Ndërkohë, Naser Aliji do jetë në të majtë ndaj rivalëve të sotëm, duke bërë të mundur që Ansi Agolli të kursejë energjitë për sfidën e fundjavës, ndaj iberikëve.

Në mesfushë do jetë dyshja Kukeli-Abrashi, me Ledian Memushajn, Ergys Kaçen dhe Taulant Xhakën në stol. Ndërsa, para tyre do jetë një treshe ofensive, me Odise Roshin në të djathtë, Jahmir Hykën në qendër dhe Azdren Llullakun në të majtë. Ky i fundit, që aktivizohet në Rumani me ekipin e Gaz Metan, do numërojë edhe ndeshjen e parë me përfaqësuesen tonë, ndonëse ishte grumbulluar edhe në të shkuarën, shkruan “Panorama Sport”.

Të tre lojtarët e avancuar në mesfushë do jenë në mbështetje të shtatlartit Bekim Balaj, që ka treguar një formë të mirë në Rusi me Terek Groznin. Ai zuri vendin e Armando Sadikut në formacion, pasi ky i fundit pësoi një dëmtim dhe u detyrua të operohet.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.