Shqipëria miraton “autostradën energjetike” me Kosovën

Procedurat e prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit kanë përfunduar në dhjetor 2013, ndërsa shlyerja e kredisë prej 42 milionë euro në këtë projektligj parashikohet të kryhet me afate të përcaktuara brenda 8 viteve deri në 2024.

Lajme

14/02/2014 12:12

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 102 vota pro marrëveshjen e huamarrjes për ndërtimin e linjës energjetike 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë.

Marrëveshja parashikon një ndryshim në Marrëveshjen e huasë dhe projektit mes Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave, Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), si agjencia e zbatimit dhe bankës gjermane KfW , të projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë), miratuar në parim nga Qeveria në 22 janar 2014.

Këto ndryshime lidhen me kohën e shlyerjes së kredisë si pasojë e vonesave të proçedurave të prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit, ku nuk u realizua disbursimi i kredisë sipas afateve të parashikuara tek marrëveshja e parë.

Procedurat e prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit kanë përfunduar në dhjetor 2013, ndërsa shlyerja e kredisë prej 42 milionë euro në këtë projektligj parashikohet të kryhet me afate të përcaktuara brenda 8 viteve deri në 2024.

Ndërtimi i linjës 400 Kv e interkonjeksionit Tiranë-Prizren parashikohet të përfundojë në vitin 2015. Shqipëria shton në tre numrin e tyre për shkëmbimin e energjisë me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian, duke rritur pozicionin strategjik në shkëmbimin e energjisë elektrike.

Për ndërtimin e linjës 400 Kv të interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë dy kompani, “Dalekovod” nga Kroacia dhe “Energoinvest” nga Bosnja kanë nisur përgatitjet për të filluar punën në terren. Projekti në total kap vlerë 75 milion Euro, financim i qeverisë gjermane përmes bankës KfW.

Linja e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë është me rëndësi strategjike, pasi Shqipërisë, që importon energji elektrike për të plotësuar nevojat, i mundëson qëndrueshmëri importi dhe shfrytëzim optimal të burimeve të saj energjiteke plus atyre të Kosovës. Por vlera shkon përtej Shqipërisë dhe Kosovës, pasi realizimi i projektit i shërben rajonit dhe më gjerë.