Shqipëria “mbytet” nga euro

Ekonomia shqiptare po përballet me një vërshim gati të paprecedentë të eurove në treg. Top Channel publikon për herë të parë shifrat zyrtare të siguruara nga Banka e Shqipërisë, të cilat tregojnë se oferta e euros në tregun vendas është rritur me 35 për qind në katër vitet e fundit.

Lajme

20/05/2018 15:10

Në grafikun që tregon sasinë e eurove të këmbyera në tregun e brendshëm, për periudhën janar-prill, nga viti 2014 deri në vitin aktual, duket qartë, se në 4 muajt e parë të këtij viti, në tregun e brendshëm janë këmbyer thuajse 1 miliardë e 780 milionë euro. Kjo do të thotë se në janar-prill të këtij viti, në Shqipëri janë këmbyer 460 milionë euro më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2014.

Por këto janë të dhënat vetëm për katër muajt e parë të vitit. Nëse supozohet i njëjti fluks edhe për tetë muajt e tjerë, atëherë rezulton se aktualisht në Shqipëri këmbehen 1 miliardë euro më shumë se sa katër vite më parë.

Rritja e sasisë së eurove, vlerësohet si shkaku kryesor për zhvlerësimin e e shpejtë të monedhës europiane ndaj lekut. Por pyetja që ka hapur një debat të nxehtë mes ekspertëve, por edhe kampeve politike është se nga po vijnë këto para? A janë prurje të ligjshme, apo gjenerohen nga trafiku dhe aktivitetet e tjera kriminale?