Shqipëria, mbi 400 milionë tonë rezerva nafte dhe gazi

Qeveria shqiptare publikoi një material të shoqëruar me grafika dhe skica të blloqeve të mundësive të kërkimit për naftë dhe gaz natyror në të gjithë territorin e vendit. Materiali u publikua në konferencën ndërkombëtare “Albania Oil, Gas & Energy Summit 2015”, që u zhvillua në Tiranë, raporton "Illyria Press".

Lajme

17/03/2015 21:21

Ministri Damian Gjiknuri tha në konferencë se pavarësisht zhvillimeve që i quajti “jo shumë optimiste” në botë, Shqipëria ka dhënë sinjale pozitive sa i takon industrisë hidrokarbure. Ai veçoi si pritshmëri me shumë rëndësi atë që e cilësoi si “rezultat premtues i kërkimeve të deritanishme në zonën e Shpiragut nga kompanitë Shell-Petromanas”.

Në vitin 2014 në Shqipëri prodhimi i naftës bruto arriti nivelin 1.4 milion tonë, krahasuar me 1.2 milion ton që kishte qenë në vitin paraardhës 2013. Ndërkohë, po në shifrat krahasuese të viteve 2013-2014, nafta e përpunuar ka arritur në 60 mijë tonë, më 2013, dhe në 260 mijë tonë, më 2014.

Ministri tha se këto rezultate dëshmojnë se qeveria e sheh me përparësi industrinë përpunuese, duke dhënë shembullin e rivënies në punë të rafinerive të kompanisë “ARMO”.

Gjiknuri shtoi se me pritjen e investimeve të rritura “në industrinë e rafinimit, parashikohet se përpunimi i naftës në vitin 2015 të arrijë në mbi 700 mijë tonë”.

Ai në fund sugjeroi se rezervat e vendit në naftë dhe gaz arrijnë në mbi 400 milionë tonë, nga të cilat vlerësohet se rreth 40 milionë tonë janë ende lehtësisht të eksploatueshme”.