Shqipëria kthen në Brazil 26 tonë mish pule

Autoritetet e ushqimit në Shqipëri thonë se po e kthejnë një transport me mish të ngrirë të shpezëve në Brazil, pasi testet kanë treguar nivel të lartë të bakteries salmonella.

Lajme

27/05/2017 11:44

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dje ka kumtuar se 28.6 tonelata të mishit të ngrirë të shpezëve, i importuar nga një kompani lokale shqiptare, është bllokuar në portin perëndimor Durrës, më herët këtë muaj, raporton agjencia AP.

Në kumtesë, më tutje theksohet se ky mish “do të shkoj për në Brazil” pasi të kompletohet dokumentacioni përkatës nga doganat dhe kompania lokale.

Brazili është burimi kryesor i mishit të shpezëve dhe të derrit për kompanitë shqiptare.

Në muajin mars, eksporti i mishit nga Brazili ishte ndalur, pasi hetuesit patën thënë se inspektorëve brazilianë të shëndetësisë u ishte dhënë ryshfet për të mos e ndalur mishin me afat të skaduar.

Prej këtij skandali, autoritetet e Shqipërisë kanë filluar në mënyrë energjike ta testojnë mishin që vjen nga ky vend.