Shqipëria krijon Këshillin e Investimeve

Me ndihmën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Shqipëria do të krijojë Këshillin e Investimeve.

Lajme

15/04/2015 19:50

Ky këshill do të krijohet me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe shmangien e korrupsionit në vend. Puna e këtij këshilli nuk do pengojë institucionet por përkundrazi do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe realizimin e reformave.

Lansimin e këtij këshilli e ka përshëndetur edhe kryeministri Rama pasditen e sotme, i cili tha se në 18 muaj qeveria ka krijuar një marrëdhënie të re me sipërmarrjen, ku nga 720 milionë dollarë borxhe, që qeveria i detyrohej sipërmarrjes, më shumë se 5 për qind e PBB-së, deri sot janë kthyer mbi 300 milionë, kurse pjesa tjetër është në rrugën e kthimit.

Rama foli edhe për ligjin e ri për investimet që pritet të miratohet në Kuvend pas pak javësh, dhe që do të hapë një kapitull të ri për investitorët. Rama e cilësoi vitin 2015 si vit kyç për ekonominë shqiptare.

Me ndihmën e BERZH, Shqipëria është ndër vendet e para në rajon ku do të aplikohet një platformë e tillë e ngritjes dhe funksionimit të Këshillit të Investimeve. Kjo është një platformë dialogu mes qeverisë dhe investitorëve që synon adresimin e problematikave kryesore me të cilat ata përballen në Shqipëri, identifikimin e mekanizmave për zgjidhjen e tyre, si dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, raportimin dhe parandalimin e rasteve të praktikave të padrejta dhe të pabarabarta ndaj biznesit dhe parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe evazionit.