Shqipëria dhe Rumania kundër krahasimit Krimesë me Kosovën

Shqipëria dhe Rumania hodhën poshtë krahasimin e Krimesë me Kosovën. Kryeministriat Edi Rama dhe Viktor Ponta u takuan në Tiranë. Rama tha se qëndrimet e Pontas japin shpresë që Bukureshti do ta njohë Kosovën në të ardhmen.

Lajme

18/03/2014 17:15

Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Rumanisë janë shprehur kundër deklaratës së Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin që theksonte se rasti i Krimesë është i ngjashëm me Kosovën.

Në Tiranë, kryeministri rumun, Viktor Ponta dhe homogolu, Edi Rama u shprehën se patën si temë diskutimi dhe Kosovën.

Duke komentuar deklaratën e Putit që hoqi paralelizma mes çështjes së Krimesë në Ukrainë dhe shtetit të Kosovës në Ballkan, kryeministrat kanë thënë se nuk e mbështesin aspak këtë paralelizëm.

“Jo. Nuk e mbështes paralelizmin, ka diferenca në bazë, dhe besoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të kenë një pozicion shumë të qartë, për atë që përfaqëson një krizë të padiskutueshme për gjithë Evropën dhe për atë që quhet si lufta e ftohtë. Situatat nuk ngjajnë midis tyre dhe nga pikëpamja jonë besoj se duhet mbështetur Ukraina ashtu si Gjeorgjia dhe Moldavia në rrugën drejt integrimit evropian, ashtu sikundër Rumania beson se kjo zonë e Ballkanit Perëndimor, do jetë e sigurt vetëm ne momentin kur të gjitha vendet do jenë anëtare të BE”, u shpreh Ponta.

Kurse kryeministri shqiptar Rama ka thënë se nuk lë vend për asnjë ekuivok. “Paralelizmi është tërësisht i pavend sikundër dhe ndërhyrja ruse, shkon në sensin e kundërt të historisë”, tha ai.

Rama bëri me dije se ka marrë mbështetjen e homologut rumun se shumë shpejt vendi i tij do të njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës.

“Dua t’i shpreh mirënjohjen në emër të gjithë shqiptarëve për rolin e tij në lidhje me Kosovën, qëndrimi i kryeministrit na jep shpresë se në një kohë jo të largët edhe Rumania do i bashkohet vendeve që e kanë njohur Kosovën”, ka theksuar Rama, raporton Rtklive.