Shqipëria dhe Portugalia në të njejtin hotel?

Hoteli “Univers” në qytetin e Elbasanit ka qenë preferencë për qëndrim e të dyja kombëtareve.

Sport

07/09/2015 12:45

Trajneri i Portugalisë Fernando Santos e kishte zgjedhur hotelin “Univers” në Elbasan për të qëndruar lojtarët e Portugalisë, mirëpo një rezervim në këtë hotel nuk ishte i mundur pasi pikërisht në “Univers”, gjithmonë akomodohet Kombëtarja e Shqipërise, raporton Panorama Sport.

Për këtë arsye portugezët kishin vendosur të qëndrojnë në Tiranë e jo në Elbasan dhe stërvitjen e fundit ta zhvillonin në Qemal Stafa.

“Kisha zgjedhur një hotel në Elbasan. Këtë gjë e bëra që të mund të ishim afër stadiumit edhe për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore një ditë përpara ndeshjes, por edhe për të qenë pranë impiantit ku do të luajmë ndeshjen. Megjithatë, diçka e tillë nuk ishte e mundur, pasi në atë hotel do të qëndronte Kombëtarja shqiptare, për këtë arsye zgjodhëm të qëndrojmë në Tiranë. Sa i përket stërvitjes së fundit, nuk preferova që të largoja skuadrën në një rrugë të lodhshme. Edhe nesër (sot), nisja drejt stadiumit do të bëhet disa orë përpara ndeshjes”, ka deklaruar Santos, trajneri i Portugalisë, në konferencën e djeshme për shtyp.