Shqipëria dhe Maqedonia do zhvillojnë mbledhje të përbashkët të Qeverisë

Në vjeshtën e këtij viti, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët midis tyre. Kjo u bë e ditur nga ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me homologun e tij të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Lajme

25/07/2017 14:20

Kryediplomati i Maqedonisë po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku në takimin me homologun e tij të Shqipërisë, në fokus kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve, ecuria e reformave për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, mbledhja e përbashkët qeveritare, etj.

Ministri Bushati theksoi se takimi i përbashkët i dy qeverive në vjeshtën e këtij viti është një zhvillim i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Në vijim të bisedës dhe dakordësisë në Trieste mes dy kryeministrave, ne sot ramë dakord bashkë për të zhvilluar mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive tona në vjeshtën e këtij viti në Pogradec. Ky do të jetë një zhvillim i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Shqipëria dhe Maqedonia e kanë gjithë potencialin për të krijuar një aks të ri zhvillimor në rajon, duke dinamizuar infrastrukturën në përgjithësi. Ne duam të zhvillojmë më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Maqedonia është një fqinj i rëndësishëm”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Bushati shtoi se Shqipëria nuk ka çështje të hapura me Maqedoninë, ndërsa sipas tij, dëshiron marrëdhënie edhe më të konsolidurara përmes një projekti të ri bashkëpunimi.

“Shqipëria nuk ka çështje të hapura me Maqedoninë. Shqipëria ka një projekt bashkëpunimi që vlerëson mënyrën sesi zbatohen angazhimet që marrin në vendet tona”, tha Bushati.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, vuri në dukje se në bashkëpunimin midis dy vendeve është i rëndësishëm intensifikimi i politikës së jashtme për të bindur Brukselin në mënyrë që Ballkani të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Duhet të punojmë me vendosmëri. Në këtë vizitë, jemi marrë vesh që të bëjmë më tepër sesa deklaratat politike. Premtimi im është të punojmë në raport me politikën e jashtme dhe të gjithë së bashku ta bindim Brukselin që është koha që Ballkani të jetojë. Ne dëshirojmë që fqinjët tanë t’i shndërrojë në njerëz përkrahës të mëdhenj”, theksoi Dimitrov.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë foli edhe rreth projektligjit mbi gjuhët, për të cilin tha se çdo gjë do të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit.

“Në raport me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika është që të bëhet çdo gjë që është në dobi të qytetarëve tanë shqiptarë dhe të tjerëve. Projektligji do të kalojë në Qeveri dhe në Kuvendin e Maqedonisë, që të jetë në përputhje me Kushtetutën”, shtoi ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov.

Dimitrov zhvilloi më pas edhe një takim me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.