Shqipëria bllokon produktet kosovare, kërkohet reciprocitet (video)

Produktet kosovare po kanë vështirësi të depërtojnë në tregun e Shqipërisë. Një fat të tillë e kanë edhe prodhimet farmaceutike. Ekspertët e ekonomisë thonë se me këtë veprim, shtetit shqiptar po bën shkeljet të CEFTA-së, dhe, sipas tyre, nëse nuk ndryshohet gjendja, atëherë duhet të përdoren masa reciprociteti.

Lajme

30/07/2014 14:37

Raportet ekonomike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, përveç në deklarata të mbushura me patriotizëm folklorik, në praktikë nuk  të jenë edhe aq të mira.

Shteti shqiptar  po u bën bllokadë produkteve kosovare, ku një fat të tillë e kanë edhe produktet farmaceutike, dhe më këtë rast, po e shkelë edhe marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA.

Kështu thanë përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, të mërkurën në një konferencë për media, ku u fol për vështirësitë që ka prodhuesi farmaceutik “Trepharm”, për ti shitur produktet e saj në Shqipëri.

Në këtë konferencë u tha se nëse nuk bëhet zgjidhje e këtij problemi, atëherë duhet të veprohet në mënyrën e reciprocitetit.

Safet Gërxhaliu kryetar i OEK-ut, tha se raportet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë dita ditës janë shndërruar më tepër në një idilizëm të përcjellë me patriotizëm folklorik sesa i ndonjë bashkëpunimi substancial.

Ai ka thënë se produktet kosovare për të depërtuar në Shqipëri duhet ta ndërrojnë etiketën e prodhuesit. Gërxhaliu tha se me një fat të tillë po përballen edhe prodhimet farmaceutike.

“Një fat i tillë është duke i përcjellë edhe barnat e prodhuara nga kompania kosovare ‘Trepharm’. Ajo çka na shqetëson më tepër është se që tre vjet pritet për një licencim për dhënien e së drejtës që këto produkte të jenë në tregun e Shqipërisë”.

“Ndoshta është momenti të veprohet në të njëjtën mënyrë se si veprojnë ata . Në qoftë se nga Shqipëria në Kosovë janë të licencuara 65 produkte dhe janë prezentë në tregun e Kosovës dhe për produktet e njëjta nga Kosova, nuk ka treg në Shqipëri dhe bëhen ç’do ditë e më tepër barriera, atëherë ndoshta është momenti që të adresohet një apel në Ministrinë e Shëndetësisë që masat e njëjta të zbatohen edhe për produktet nga Shqipëria”, tha Gërxhaliu.

Ai tha se është e pakuptimtë se si produktet nga vendet e rajonit depërtojnë më lehtë në Shqipëri se sa ato të Kosovës.

Ndërkaq Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se si asociacione të bizneseve kanë kërkuar nga dy qeveritë shqiptare që të formojnë grupe punese për heqjen e këtyre barrierave. Sipas tij, asociacionet nga dy vendet më shumë janë marr me “shfaqje teatrale”, sikur që ishte mbledhja e përbashkët e dy qeverive, sesa me çështje konkrete. Zeka ka thënë se Shqipëria po e shkelë marrëveshjen e CEFTA-së.

“Para mbledhjes së dy qeverive e bërë me aq pompozitet kemi dërguar letër të dy kryeministrave, atij të Kosovës dhe të Shqipërisë , se në vend që të bëjnë shfaqje të tilla teatrale më mirë do të ishte të formonin ekipet teknike dhe të diskutonin për formimin e këtyre barrierave”

“Diçka e tillë nuk ka kuptim, sidomos për vendet anëtare nënshkruese të marrëveshjes për tregti të lirë të Europes Juglindore, CEFTA-së”, tha Zeka.

Ndërkaq, Mergim Prishtina, drejtor ekzekutiv në kompaninë farmaceutike “Trepharm”, ka thënë se edhe pse produktet e tyre i plotësojnë të gjitha standardet, ato po refuzohen nga Shqipëria. Ai tha se që dy vjet enden në institucione e Shqipërisë, duke u refuzuar pa ndonjë arsye.  

“Refuzimi i fundit ka ardhur javën e kaluar që është shumë i pa kuptimit. Ne kërkojmë një zgjidhje shumë urgjente nga shteti shqiptar dhe pranimin e dokumenteve”.

“Në përgjigjen zyrtare që kemi marrë nga Qendra Kombëtare e kontrollit të barnave në Ministrinë e Shëndetësisë, thuhet së në baza të ligjit duhet të jenë në qarkullim, së paku për dy vjet produktet në vendin ku prodhohen ndërkaq, produktet tona në muajin dhjetor i bëjnë 4 vjet që janë në tregun e Kosovës”, tha ai.

Prishtina tha se janë 30 produkte të fabrikës “Trepharm” që pretendojnë të jenë në tregun e Shqipërisë, dhe 8 prej tyre, që në start janë refuzuar.