Shqipëri: Ulet niveli i ujit, por rikthehen shirat

Në Novoselë janë rikthyer pasditen e së martës reshjet e shiut, duke e bërë më të vështirë përballimin e situatës në orët e natës. Gjatë ditës në këtë komunë, por edhe në të tjera të Vlorës dhe Fierit, si pasojë e motit të qetë ka pasur ulje të nivelit të ujërave, por tani edhe ai përmirësim i lehtë i situatës po zbehet.

Lajme

03/02/2015 22:04

Banorët e Novoselës janë kthyer të gjithë nëpër shtëpitë e tyre dhe zor se atje gjen ndonjë shtëpi bosh, pavarësisht situatës së rëndë, raporton Top-Channel.

Gjatë paradites banorët kanë mundur të heqin ujin dhe llumërat në banesat e tyre dhe janë përpjekur të shpëtojnë ç’të mundin. Dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme, si në bujqësi edhe në blegtori, që është dhe kryesorja për banorët.

Mesditën e së martës, Ministria e Brendshme njoftoi se një sipërfaqe prej 5 mijë hektarësh në mbarë vendin ndodhej nën ujë për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit.

Me anë të një njoftimi për shtyp u bë e ditur se ishin evakuuar 420 familje dhe se kishte nisur shpërndarja e ushqimeve për familjet në zonat më të goditura, kryesisht në fshatin Novoselë.

Po ashtu, ndihma u shpërndanë edhe për familjet në Levan të Fierit dhe në Urën Vajgurore, një zonë po ashtu e përfshirë nga përmbytjet.