Shqipëri – Spanjë, shfaqet një problem i madh për mysafirët

Në konferencën e sotme për shtyp ku shpalli edhe listën e lojtarëve të grumbulluar, selektori i Spanjës, Julen Lopetegui tha se fusha e “Loro Boriçit” mund të mos jetë në gjendjen më të mirë për shkak se tri ditë para ndeshjes, aty do të luajnë Kosova dhe Kroacia.

Sport

30/09/2016 15:20

Trajneri Julen Lopetegui është i shqetësuar për terrenin ku Spanja do të luajë me Shqipërinë më 9 tetor.

Duke qenë se skuadra e tij bën një futboll me shumë pasime, për teknikun iberik është jetike që fusha të jetë në gjendje të përsosur.

Në konferencën e sotme për shtyp ku shpalli edhe listën e lojtarëve të grumbulluar, 50-vjeçari tha se fusha e “Loro Boriçit” mund të mos jetë në gjendjen më të mirë për shkak se tri ditë para ndeshjes, aty do të luajnë Kosova dhe Kroacia.

“Terreni në stadiumin e Torinos besoj se do të jetë në gjendje të mirë, kurse në Shqipëri mund të ketë probleme pasi aty do të luhet një tjetër ndeshje më parë. Megjithatë duhet të gjejmë zgjidhje, dhe këto zgjidhje duhet të kenë të bëjnë vetëm me futbollin”, u shpreh Lopetegui.

Spanja do të luajë me Italinë në “Juventus Stadium” më 6 tetor, para se të zbresë në “Loro Boriçi” për t’u përballur me ekipin e De Biasit.

Tekniku i cilëson si shumë të vështira të dyja përballjet dhe thotë se nuk do të firmoste për asnjë rezultat: “Janë ndeshje tepër të vështira. Ndaj Italisë dhe Shqipërisë duhet të luajmë me përqendrim maksimal. Nuk do të firmosim për asnjë rezultat”, përcjell “Panorama Sport”.

Lopetegui është vënë në qendër të kritikave nga mediat spanjolle pasi ka grumbulluar Iskon, edhe pse ky i fundit ka luajtur vetëm 57 minuta me Realin e Madridit në këtë kampionat.

“Nuk mund ta fsheh që më pëlqen dhe besoj shumë tek ai. Besoj se mund të na ndihmojë. Te Reali ka plot futbollistë që nuk po luajnë aq sa do të donim ne”, u shpreh 50-vjeçari.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.