Shqipëri – Spanjë, ajo që e pret Canën do ta mbajë në mend për gjithë jetën

Federata Shqiptare e Futbollit është duke punuar tashmë për organizimin e ceremonisë përshëndetëse për kapitenin shumëvjeçar.

Sport

28/09/2016 10:02

Lorik Cana, i cili për shumë vite ishte simbol i “kuqezinjve”, tashmë ka njoftuar se është tërhequr nga Kombëtarja, por ceremonia përshëndetëse do të mbahet më 9 tetor, kur Shqipëria në Shkodër e pret Spanjën në kuadër të eliminatoreve për botërorin “Rusia 2018”.

“Panorama Sport” ka njoftuar se Federata Shqiptare e Futbollit është duke punuar tashmë për organizimin e ceremonisë përshëndetëse për kapitenin shumëvjeçar.

Është premtuar një ceremoni speciale përmes së cilës synohet të nderohet kontributi i madh i Canës për imazhin e kombëtares. FSHF-ja nuk ka dhënë detaje për ceremoninë.

Cana 33-vjeçar i ka plot 94 ndeshje për Shqipërinë, gjatë të cilave ka shënuar një gol. Ka debutuar në vitin 2003, ndërsa ndeshjen e fundit e luajti në “Euro 2016” ndaj Rumanisë, në të cilën u aktivizua si zëvendësues.

Kualifikimi i Shqipërisë në Evropian ishte edhe realizimi i ëndrrës së Canës që lidhej me kombëtaren. Ishte hera e parë që Shqipëria u paraqit në një ngjarje të madhe futbolli. Pasi realizoi ëndrrën për të luajtur në turne të madh, Cana vendosi të pensionohej nga kombëtarja.

Ai mban rekordin për më së shumti paraqitje për Shqipërinë. I dyti në listë është Altin Lala me 80 ndeshje. Prej lojtarëve aktualë më së shumti paraqitje ka Ansi Agolli, 66, që në listë është i dhjeti.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.