Shqipëri – Rumani, kjo nuk guxon të ndodhë!

Shqipëria nuk guxon ta vazhdojë bilancin negativ në ballafaqime kundër Rumanisë.

Sport

17/06/2016 13:22

Shqipëria ka 68 vite pa fituar ndaj Rumanisë. Rivali i kuqezinjve në Evropian futet në grupin e skuadrave që Kombëtarja ka vuajtur historikisht.

Shifrat flasin qartë, teksa në 17 ndeshje të zhvilluara deri më tani, në 12 prej tyre ka fituar Rumania. Kuqezinjtë kanë arritur vetëm dy herë të thyejnë rumunët, ndërsa tri takime të tjera kanë përfunduar në barazim

Triumfi i fundit i Shqipërisë daton më 02.05.1948, me shifrat 0-1 në Bukuresht, ku vendoste një gol i Pal Mirashit.

Nga ajo kohë e deri më tani janë luajtur edhe 14 ndeshje, por asnjëherë kuqezinjtë nuk kanë mundur të fitojnë.

Madje, Rumania është nga ato skuadra që në dy raste na ka shkaktuar humbje të turpshme, 6-0 dhe 6-1. Kjo e fundit është e freskët, pikërisht më 21.11.2007, në stadiumin e Bukureshtit, me kuqezinjtë që drejtoheshin nga Otto Bariç.

Pas përfundimit të ndeshjes, kroati dha dorëheqjen nga bankina kuqezi, madje hodhi edhe dyshime për sjelljen e lojtarëve.

Për herë të parë dy skuadrat kanë luajtur më 13.10.1946, teksa Shqipëria ka fituar 1-0 në Tiranë. Ndeshja e fundit me rumunët është ajo e dy viteve më parë.

Bëhet fjalë për miqësoren e luajtur më 31.05.2014 në Yverdon të Zvicrës, ku kuqezinjtë humbën 0-1 falë golit të Razvan Rat.

Tashmë pas 68 viteve pa fitore, Shqipëria ka shansin të bëjë historinë në një përballje ndaj skuadrës së Angel Jordaneskut.

Rastësia bëri që ekipet të sfidonin njëra-tjetrën në Evropianin e Francës, pikërisht në pjesëmarrjen historike të kuqezinjve. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi do të përcaktojë skuadrën që pritet të renditet në vendin e tretë.

Për këtë pozicion Rumanisë i mjafton edhe një pikë, ndërsa Shqipërisë i duhet vetëm fitorja për të shpresuar te llogaritë që do të bëhen për katër të tretat më të mira.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.