Shqipëri: “Ruani zemrën blu të Europës”

Vjosa është cilësuar nga ekspertë europianë si "Zemra Blu e Europës", si lumi i fundit, i madh në Europë që ka mbetur i virgjër në 270 km e gjatësisë së tij. Por planet për ndërtimin e digave e rrezikojnë këtë thesar.

Lajme

18/10/2017 12:08

Ka disa vite që qeveria e Tiranës planifikon të ndërtojë 27 hidrocentrale mbi lumin Vjosë dhe degët e tij, nga të cilat dy tanimë kanë filluar. Për ndalimin e projekteve të ndërtimit në këtë zonë madje qeverisë në Tiranë i është bërë thirrje më 2015 përmes një rezolute edhe nga Parlamenti Europian. Ky sinjal erdhi në një kohë kur shoqatat ekologjiste europiane, ato shqiptare e grupe të shoqërisë civile, personalitete të kulturës dhe artit në Shqipëri dhe banorë nga rajonet, ku kalon lumi Vjosa filluan të kërkojnë me këmbëngulje që ai të shpallet Park Kombëtar. Pikërisht ky komunitet do të sensibilizojë të mërkurën (18.10) opinionin dhe qeverinë në Tiranë me thirrjen për të ruajtur Vjosën, që konsiderohet një thesar natyror i gjithë Europës.

Shumica e lumenjve në Evropë e janë  shkatërruar nga ndërtimet intensive të digave, gjë që cënon biodiversitetin e zonave përkatëse. Ekspertët ndërkombëtarë, që janë aktivizuar për hulumtimin e vlerave të Vjosës si dhe për ruajtjen e lumit të fundit të virgjër në Europë, apelojnë, që Shqipëria të mos përsërisë gabimet e bëra dekada më parë nga vendet e industrializuara. Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i shoqatës europiane Riverwhatch me seli në Vjenë, të përfshirë fuqimisht në përpjekjet për të shpëtuar Vjosën nga ndërtimi i hidrocentraleve për DW ka deklaruar: “Në Shqipëri po përpiqemi së bashku me EuroNatur në Gjermani dhe EkoAlbania në Tiranë të ndalojmë realizimin e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa. Në vend të tyre synojmë që lumi Vjosa të shpalllet Parku i parë Kombëtar, i një lumi të paprekur europian. Në kontekstin europian Lumi Vjosa është mahnitës, një thesar natyror, dhuratë për gjithë Europën”. Ai tregon se atje ku kalon lumi Vjosa ka ujëvara spektakolare, kanione të thella, pyje të gjelbër dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm: 69 specie peshqish mes të cilave edhe salmoni i Danubit, specie e zhdukur në vendet e BE nga kalon Danubi, që gjenden vetëm në lumin Vjosa dhe askund në botë; 40% e midhjeve të ujrave të ëmbla dhe kërmijve të Europës, në zhdukje e sipër, jetojnë në ekosistemet e lumit Vjosa.

Albanien Vjosa Tal Fluss (picture-alliance/dpa/R.Zimmermann)

Sipas të dhënave të Riverwatch, ka projekte për të ndërtuar 630 hidrocentrale nga Sllovenia në Shqipëri mbi lumenj të tjerë, të paprekur ballkanikë. “Nëse kjo nuk shmanget atëhere do të ketë një ‘cunam digash’. Ndërtimi i tyre mbi lumenj të tillë nuk i shërben prodhimit të energjisë por pasurimit të kompanive që i ndërtojnë si edhe bankave europiane që u japin atyre hua”, vëren Ulrich Eichelmann,

Gjithsesi, as që mund të mendohet se ndërtimi i hidrocentraleve në Ballkan mund të ndalohet. Ajo që ekologjistët europianë dhe ballkanikë kërkojnë është ndërtimi i tyre duke respektuar natyrën, hartimi i një master plani unik për gjithë vendet e Ballkanit. “Ky master plan deri tani mungon. Ai duhet hartuar sa më parë me një përqasje planifikimi hapësinor për gjithë Ballkanin. Kjo do të bëjë të mundur informacionin e saktë se ku mund të ndërtohen diga hidrocentralesh që respektojnë ruajtjen e natyrës. Për gjithë Ballkanin duhet të përcaktohen zonat, ku nuk mund të ndërtohen hidrocentrale. Bankat në vende të ndryshme të BE japin hua për të ndërtuar në vendet e Ballkanit gjithë sa në vendet e tyre nuk lejohet të ndërtohen. Ato abuzojnë dhe përfitojnë nga legjislacioni, ekonomia e dobët e vendeve të Ballkanit. Nëse kjo nuk ndalet tani rrënimi i natyrës do të ndodhë më shpejt se në vitet 60-të të shekullit të kaluar për shkak të teknologjisë moderne”, thotë për DW Ulrich Eichelmann.

Që kjo të mos ndodhë, shoqata ambientaliste e EuroNatur në Gjermani dhe Riverwatch në Austri, në bashkëpunim me organizatat ambientaliste në vende të ndryshme të Ballkanit, kanë inicuar fushatën ndërkombërare “Ruani zemrën blu të Europës”. Shqipëria i është bashkuar fushatës ndërkombëtare “Ruani zemrën blu të Europës”./DW