Shqipëri: Prokurori kërkon që nipi i ish-diktatorit të dënohet për drogë

Një prokuror në Shqipëri ka kërkuar që nipi i ish-diktatorit të Shqipërisë dhe tetë ndihmës të tij, të dënohen dhe burgosen për trafikim të drogës në Evropën Perëndimore.

Lajme

20/06/2017 17:26

Ky prokuror ka kërkuar sot nga Gjykata e Krimeve Serioze në Tiranë, që ta dënoj Ermal Hoxhën me 13 vjet burg, ndërsa të tjerët, përfshirë dy kolumbias, ndërmjet 13 e 15 vjet burg, raporton agjencia AP nga Tirana.

Ermal Hoxha, 42 vjeçar, dhe personat e tjerë ishin arrestuar në janar të vitit 2015, të akuzuar për krijimin e grupit të organizuar kriminal, që ka përpunuar dhe trafikuar kokainë në vendet e Evropës Perëndimore.

Policia i kishte konfiskuar 120 kilogramë drogë, para të gatshme dhe armatim, në një bazë të tyre.

Ermal Hoxha është nipi më i madh i ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili sundoi në këtë vend me grusht të hekurt prej vitit 1944 e deri kur vdiq, në vitin 1985. Pesë vite pas vdekjes së tij, nga revolta studentore u përmbys regjimi izolacionist komunist.