Shqipëri: Opozita bllokon foltoren, vezë në drejtim të Ramës

Kuvendi i Shqipërisë u kthye në një vatër të nxehtë tensioni mes shumicës dhe opozitës pas rrëzimit në Konferencën e Kryetarëve të kërkesave të demokratëve për të përfshirë një amendament në ligjin e dekriminalizimit si dhe për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për heqjen e mandatit për tre deputetët socialistë.

Lajme

25/02/2016 23:54

Në këto kushte opozita bllokoi foltoren dhe dekretet e Presidentit për emërimin dhe shkarkimin e dy ministrave kaluan në një situatë të nderë, kur ndaj kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë u hodhën vezë. Përfaqësues të opozitës deklaruan se krimi duhet të largohet nga kuvendi dhe se qëndrimit të tyre do t’i shkojnë deri në fund.

Njoftimi i opozitës së për bllokim të seancës parlamentare, detyroi gardën të rrisë masat e sigurisë duke shtuar kontrollin fizik dhe me dedektor të deputeteve për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara.

Në të njëjtën kohë kur deputetët futeshin në sallë Konferenca e Kryetarëve vendosi të mos marrë në shqyrtim kërkesat e Partisë Demokratike, ç’ka detyroi deputetët e djathtë, të bllokojnë punimet normale të kuvendit.

Demokratët kërkuan miratimin me procedurë të përshpejtuar të amendamentit të tyre bashkë me aktet nënligjore për ligjin dekriminalizimit dhe dërgimin nga ky Kuvend në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën, Valentina Leskajn dhe Rakip Sulin.

Masat shtesë dhe kontrollet e imtësishme nga Garda e republikës, deputetët demokratë arritën të deportojnë me disa vezë në sallë, bllokuan foltoren dhe qëlluan drejt Kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit.

Por ish Kryeministri Sali Berisha tha se qeveria drejtohet nga bandat dhe renditi një listë të gjatë të përfaqësuesve të shumicës që siç tha i po grabisin pasuritë e vendit. Por më shumë se kaq opozita duket e shqetësuar për prezencën e njerëzve të inkriminuar në kuvend. Dhe gjendja duket aq serioze sa e detyron Z. Berisha të vërë në diskutim mandatin e tij.

Në përfundim të parlamentit, nënkryetari i grupit parlementar socialist Taulant Balla, tha se qëndrimi i opozitës në këto momente ka për qëllim të bllokojë reformën në drejtësi.

Deputeti socialist Taulant Balla, lajmëroi dhe marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës që bllokuan kuvendin dhe qëlluan me vezë kryeministrin. Dhe në këtë klimë të tensionuar seanca e mbyll me një votim të vështirë të dekreteve të Presidentit për shkarkimin e Ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe emërimin në vend të tij të Arben Ahmetajt si dhe emërimin e Mila Ekonomit në postin e Ministrit të Ekonomisë./Kp