Shqipëri – Katar, bileta edhe për të qëndruar në këmbë

Shqipëria do të luajë sot një 90-minutësh testues përballë Katarit.

Sport

29/05/2016 11:41

Prej nëntë ditësh nën drejtimin e De Biasit dhe stafit të tij, Kombëtarja do të provojë që të vërë në zbatim çdo gjë që është përgatitur në Austri gjatë këtyre ditëve grumbullimi.

Kompania IFCS, organizatore e miqësores së sotme, ka përcaktuar se kjo ndeshje do të luhet në Hartberg, në Austri. Bëhet fjalë për një impiant me kapacitet vetëm 6 mijë vendesh, i cili shërben si një objekt multifunksional jo vetëm për ndeshje futbolli, por edhe gara atletike dhe shfaqje muzikore.

Stadiumi i Hartbergut disponon dy tribuna të mbuluara. Në tribunën kryesore ndodhet pjesa VIP e pajisur me ambiente gastronomie. Çmimi i biletave aty do të kushtojë 25 euro për çdo ulëse. Ndërkohë, në pjesët pas portave, është përllogaritur që afro 1400 tifozë të qëndrojnë në këmbë, çmimi në këtë rast është 15 euro, transmeton Panorama Sport.

Kjo do të jetë përballja e dytë e Shqipërisë me Katarin, pas asaj të luajtur në vitin 2012 në Spanjë, ku kuqezinjtë fituan me shifrat 2-1.