Shqipëri-Francë për femra, “betejë” në atmosferë miqësore

Pas ngushëllimeve dhe nderimit nga Kombëtarja e meshkujve për sulmet terroriste në Paris, edhe nga Kombëtarja e femrave është marrë një vendim i paprecedentë.

Sport

26/11/2015 21:26

Një betejë sportive, por në një atmosferë miqësore të pashembullt. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Francën mbeten speciale dhe këtë e konfirmojnë faktet.

Pas ngushëllimeve dhe nderimit nga Kombëtarja e meshkujve për sulmet terroriste në Paris, edhe nga Kombëtarja e femrave është marrë një vendim i paprecedentë.

Edhe pse vajzat kuqezi luajnë një përballje zyrtare përballë ekipit francez, në kualifikueset e Europianit 2017, trajnerët e dy përfaqësueseve, Altin Rraklli dhe Philippe Bergeroo zhvilluan një konferencë shtypi të përbashkët, përcjell “Supersport.al”.

Altin Rraklli: Franca është nga ekipet elitë të futbollit europian dhe botëror. Padyshim që nuk kemi të njëjtat objektiva, pasi ne jemi një skuadër e re, sapo jemi formuar dhe motivimi ynë është të marrim sa më tepër pikë që të jetë e mundur në ndeshjet e grupit, pavarësisht vështirësive që kemi si ekip. Jemi ende në konsolidimin e Kombëtares, por nuk diskutohet që rezultatin dhe pikët do ti kërkojmë në çdo ndeshje.

Përfaqësuesja blu vizitoi Ambasadën Franceze në Tiranë, në një takim ku të pranishëm ishin përfaqësues të FSHF-së dhe zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj. Një mënyrë për të treguar se ndeshja do të luhet në normalitet të plot, pavarësisht masave të jashtëzakonshme të sigurisë, prej rrezikut të terrorizmit.

Philippe Bergeroo: Falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për masat që ka marrë për organizimin e kësaj ndeshje dhe për pritjen e ngrohtë që i është bërë ekipit francez në Tiranë. Duke iu referuar ngjarjeve që ndodhën në Paris, ne të gjithë si ekip jemi të përfshirë. Por, objerktivi ynë është që ta fitojmë ndeshjen për të qenë në pozita sa më të mira në kualifikueset e Europianit”.

Kualifikuesja e femrave ndërmjet Shqipërisë dhe Francës do të luhet të premten në orën 21 në stadiumin Qemal Stafa. Ekipi francez kryeson Grupin 3 me 6 pikë të plota, ndërsa vajzat kuqezi pozicionohen në vendin e fundit pas dy humbjeve me Greqinë dhe Rumaninë.