Shqipëri-BE, Mogherini: 2018 një shans unik

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini tha sot se “viti 2018 do të jetë një shans unik për Shqipërinë” por dhe rajonin e Ballkanit në tërësi për të bërë përpara në procesin e integrimit europian.

Lajme

15/11/2017 13:34

Këto komente zonja Mogherini i bëri në përfundim të Takimit të 9-të të Këshillit të Stabilizim-Asocimit i mbajtur sot në Bruksel. Ajo shpjegoi se gjatë takimit “pamë të gjitha marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së dhe konfirmuam angazhimin tonë të qartë dhe të fortë të BE-së ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë e në këtë kontekst ramë dakort për rëndësinë e axhendës së reformave që Shqipëria po ndjek me vendosmëri, veçanërisht atë në gjyqësor, që është ndër më të rëndësishmet që po ndodh në ndonjë nga vendet e zgjerimit për momentin, e që ka një rol kyç për konsolidimin e shtetit të së drejtës por dhe për procesin e anëtarësimit të vendit”.

Edhe në deklaratën e përbashkët për takimin, Reformës në Drejtësi i kushtohet një hapësirë e dukshme. Ajo vlerësohet si “thelbësore në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe transformuese për reformat e tjera”. Në deklaratë mirëpriten hapat e bërë për procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me ngritjen e institucioneve përkatëse dhe mbërritjen e ekspertëve ndërkombëtarë që do të vëzhgojnë nga afër zbatimin e procesit. Zonja Mogherini nga ana e saj theksoi se “BE-ja ka pritshmëri të mëdha nga procesi i rivlerësimit”.

Bashkimi Europian, thekson më tej deklarata, mirëpret “hapat e mëtejshm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe veçanërisht rezultatet pozitive në luftën kundër kultivimit të marijuanës”, ndërsa vlerëson positivisht “hapat e ndërmarrë lidhur me të Drejtat e njeriut përfshirë miratimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e minoriteteve”.

Vjeshtën e kaluar Komisini europian i rekomandoi vendeve anëtare hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, kushtëzuar kjo me zbatimin e Reformës në Drejtësi e veçanërisht me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Autoritetet shqiptare presin që pranverën e ardhshme, kur Komisioni do të prezantojë Strategjnë e re për Zgjerimin dhe raportet për secilin vend, Shqipërisë t’i hapet drita jeshile për nisjen e bisedimeve. “Ne besojmë se hapja e bisedimeve do të sigurojë një sens orientimi në transformimin që kemi ndërmarrë”, deklaroi në konferencën e përbashkët me zonjën Mogherini, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. “Arritjet tona një bazë të mirë solide për pëprparimin e mëtejshëm, sepse vendosin themelet dhe në kuadër të negociatave për kapitujt 23-24”.