Shqipëri, 600 familje të evakuuara, rreziku nga përmbytjet nuk ka mbaruar

Rreth 600 familja janë evakuuar deri më tani nga shtëpitë e përmbytura në jug të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre familjeve janë detyruar nga autoritete, pavarësisht refuzimit për tu larguar nga shtëpitë e përmbytura. 

Lajme

05/02/2015 08:53

Në të dhënat e fundit të Ministrisë së Brendshme bëhet me dije se 17 mijë hektarë tokë bujqësore ndodhet nën ujë, ndërsa 5 mijë hektarë tokë në të cilat ndodhen shtëpitë e banimit janë të pushtuara nga uji.

“Një pjesë e mirë e banorëve nuk ka pranuar të largohet. Nga Shtabet e Emergjencave iu është kërkuar të largohen, në këto kushte është bërë evakuimi i detyruar. Të mos ketë asnjë humbje jete. Situata emergjente nuk ka kaluar, reshje të shumta shiu priten në ditët në vijim”, këshilltari për mediat  Florion Serjani gjatë deklaratës.

“600 familja janë evakuuar, janë krijuar mundësitë e strehimit në bazën e Bunavisë dhe konviktet. Pjesa më e madhe kanë shkuar tek fqinjët. Janë shpërndarë 2600 pako ushqimore. Janë 2100 forca dhe qindra mjete. Kanë nisur përgatitjet para se të rinisnin reshjet”, tha MPB.

Ndërsa lidhur me akuzat nëse ishte paralajmëruar për rrezikun që i priste familjet në jug, Ministria e Brendshme deklaroi se, “më datë 29 janar është ngritur shtabi i emergjencës civile. Janë udhëzuar të gjitha shtabet që të njoftonin banorët. Janë bërë njoftime nëpërmjet inspektorëve rajonal, mediave etj. Por një pjesë e tyre nuk ka pranuar të largohen edhe pas thirrjeve të përsëritura të autoriteteve”. /Shekulli.