Shqetësimi për Luginën e Preshevës

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e shqetësuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ata thonë se kjo është vazhdimësi e politikës së Millosevicit.

Lajme

09/11/2013 17:47

Veprimet e djeshme të inspektoratit të Policisë serbe në Luginën e Preshevës, Vetëvendosje i ka quajtur vazhdim të diskriminimit sistematik të Serbisë që po ua bënë shqiptarëve të Kosovës Lindore.

Përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësimin e saj duke thënë se kjo që po ndodh është vazhdimësi e politikës së Millosevicit.

Gjatë një aksioni policor të zhvilluar dje në orët e pasdites, në fshatin Rainc të Preshevës, në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, inspektorati serb ka konfiskuar rreth pesë mijë copë libra duke terrorizuar kështu nxënës, drejtor e mësues.

“Ky veprim është vazhdim i diskriminimit sistematik që Serbia po ja bën popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës”.

“Konfiskimi i librave nën pretekstin se nuk na qenkan me plan program të Serbisë, është terror shtetëror ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe të drejtës universale për arsim në gjuhën amtare, të fëmijëve shqiptarë atje”.

“Veprimi i Qeverisë së Serbisë na e dëshmon edhe njëherë që politika e saj ndaj shqiptarëve nuk ka ndërruar, por është e njëjta ajo e Millosheviqit, për t’ia u bërë jetën të pamundshme shqiptarëve atje, politikë kjo të cilën me zell po e ndjek pasardhësi i tij, njëkohësisht partneri në dialog i Hashim Thaçit,  Ivica Daçiqi”.

Vetëvendosje ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës, e cila ende nuk ka reaguar për veprimet e djeshme të policisë serbe.

VV thotë se fajtor për këtë është Kryeministrit i Kosovës Hashim Thaçi, i cili, sipas saj, asnjëherë në bisedime nuk ngriti çështjen e Luginës së Preshevës.

“Këtë politikë të Serbisë po e aprovon në heshtje Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Thaçi, të cilët jo që asnjëherë nuk e ngritën Luginën e Preshevës si çështje, por  duke bërë koncesione të dëmshme, për çështje të brendshme të Kosovës, në dialog me Serbinë, po e legjitimojnë politikën antishqiptare të Serbisë në përgjithësi”.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga Qeveria e Kosovës, Qeveria e Shqipërisë dhe faktorët ndërkombëtarë, që të bëjnë presion mbi Qeverinë e Serbisë, që të heqë dorë nga politikat diskriminuese antishqiptare në Luginë të Preshevës dhe të garantojë të drejtat universale të shqiptarëve, përfshirë edhe të drejtën për arsim, të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare.