Shqetësimi i AKR’së

AKR nuk po pajtohet me partitë politike që kanë filluar fushatën parazgjedhore, ende pa i ardhur koha zyrtarisht. Zëdhënësi Fidan Jupolli thotë se nëse nuk respektohet ligji, do ta konsiderojnë edhe mospjesëmarrjen në zgjedhje.

Lajme

25/09/2013 11:31

Aleanca për Kosovën e Re ka shprehur shqetësimin e saj për fushatën parazgjedhore që kanë filluar partitë politike, ende pa u hapur zyrtarisht ajo.

E nëse nuk respektohet ligji, ka paralajmëruar se do ta konsiderojë edhe mospjesëmarrjen në zgjedhje – nëse është e nevojshme.

Zëdhënësi Fidan Jupolli ka deklaruar sot se me fushatën e parakohshme partitë po shkelin rregulloret dhe ligjet në fuqi që përcaktojnë kohën se kur duhet filluar fushata.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se AKR këtë shqetësim do ta adresojë në të gjitha institucionet relevante të vendit.

“Ne do i shprehim shqetësimet tona në të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe KQZ’në, si organi më i lartë organizativ i zgjedhjeve. Për ne, është shumë e pakuptimtë qasja e partive politike në këtë kohë. E konsiderojmë si një gjendje të jashtëzakonshme dhe alarmante tendencën e tyre për shkeljen e rregulloreve.”

“Ne i garantojmë qytetarët e Kosovës se nuk do të jemi pjesë e këtyre tendencave, të këtyre fushatave parazgjedhore. Ne do t’i mbrojmë me të gjitha fuqitë tona ligjet dhe rregulloret e shtetit të Kosovës. Në qoftë se është e nevojshme, edhe deri te mospjesëmarrja jonë në garën zgjedhore.”

AKR replikon kundër deklaratave të zonjës Valdete Daka dhe e fton që të lexojë rregulloret që organi të cilën ajo e udhëheq i ka nxjerrë.

“Zonja Daka ka deklaruar që nuk ka ndonjë rregullore apo ligj që ndalon fushatën e parakohshme. Ne i propozojmë asaj që të gjejë kohë dhe t’i shikojë pikërisht ato vendime dhe rregullore që kanë dalë prej organit që ajo udhëheq”, ka thënë Jupolli.

Në AKR nuk e shohin të nevojshme që t’ia drejtojë gishtin e fajit ndonjë subjekti politik me emër. Por, thonë se të gjitha partitë po e shkelin ligjin.