Shpresat te Lista Serbe për rrëzimin e Qeverisë

Partitë opozitare po i mirëpresin votat e Listës Serbe për një rrëzim të mundshëm të Qeverisë megjithëse nuk po besojnë në qëllimet e sinqerta të kësaj partie për këtë hap.

Lajme

13/11/2018 23:35

Lista Serbe ditë më parë kishte deklaruar se e mbështet çdo iniciativë për rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt.

Kjo parti e komunitetit serb në Kosovë, këto deklarata i bëri menjëherë pas vendosjes së taksës prej 10% nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Ky reagim i Listës Serbe nuk befasoi as Qeverinë e as opozitën, megjithëse ka ngjallë diskutime për kalkulime të numrave për një mocion të mosbesimit për Qeverinë.

Kontributin e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë nuk po e përjashton Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, qeveria e të cilit ishte rrëzuar me ndihmën e po kësaj partie.

Ish-kryeministri Isa Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i marrin votat e Listës Serbe në mocionin e mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja për ta rrëzuar Qeverinë.

Ai kujtoi që njëjtë kishin vepruar edhe me Qeverinë e tij, ku përmendi edhe ish partnerin e tij në koalicion, Kadri Veselin.

“Qeveria që unë e kam drejtuar është rrëzuar me Listën Serbe. Edhe mocioni është nënshkruar nga njerëzit e Listës Serbe, sepse si duket z. Veseli, i cili publikisht tha që unë e kam iniciuar rrëzimin e Qeverisë, ka deshtë me krijuar ni vëllazërim-bashkim në rrëzimin e kësaj Qeverie, që të jenë krejt aty, edhe serbë, edhe shqiptarë, edhe romë e edhe ashkali, që të arsyetohet para ndërkombëtarëve që të gjitha komunitetet kanë qenë për rrëzimin e Qeverisë’’, ka deklaruar Mustafa.

Deklaratat e Listës Serbe po shihen si normale nga deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu.

Ajo për kallxo.com ka thënë se kjo parti ka dhënë nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë ndërsa po pret unifikimin e opozitës.

‘ Nuk mundem m’i komentu deklaratat e tyre (Listës Serbe), pasi janë deklarata politike. Kjo nuk është hera e parë që ata  e kushtëzojnë Qeverinë. Është normale që Lista Serbe ka deklaruar për rrëzim të Qeverisë sepse direktivat i merr nga Beogradi. Sa i përket votave për rrëzimin e Qeverise, ne si PSD i kemi dhënë nënshkrimet, kurdo që LDK-ja dhe VV-ja e sjellin në votim mocionin e mosbesimit’’, ka deklaruar Baftiu.

Ndërsa Liburn Aliu i Vetëvendosjes këto deklarata i ka cilësuar si joserioze, sepse sipas tij vetë Vuçiqi kishte deklaruar se më mirë Haradinaj në Qeveri sesa Albin Kurti.

“Ne nuk besojmë që Lista Serbe voton për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Në verën e vitit 2017, vetë Vuçiqi thoshte më mirë Haradinaj se Kurti. Veçse largimi i këtij regjimi që vjedh buxhetin e pasuritë e Kosovës së brendshmi dhe fal shtetësi e territor të republikës sonë së jashtmi, gjithsesi imponohet si prioritet’’, ka shkruar Aliu në rrjetin social Facebook.

Sipas tij ‘nëse qeveria sundon e vjedh bashkë me Listën Serbe  pse nuk bën që asnjë votë e tyre të kontribuojë në rrëzimin e Qeverisë’.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, deklaratat e Listës Serbe i ka quajtur si vullnet politik të tyre dhe se ai nuk mund ta diktojë atë.

“Sa i përket qëndrimit të partnerit të koalicionit, në këtë rast të Listës Serbe, është qëndrim i vullnetit të tyre, është vullnet i lirë politik dhe ne nuk e diktojmë atë. Kuptohet agjenda e Kosovës vazhdon, jemi në punë. Para se të shkojmë në zgjedhje po dëshirojmë me e nxjerrë liberalizimin’’, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër nga Qeveria kishte reaguar edhe  ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili në Facebook kishte shkruar se Lista Serbe duhet të heqë dorë nga ‘kërcënimet boshe’.

“Qeveria Haradinaj respekton të gjitha obligimet kushtetuese ndaj partnerëve të koalicionit. Por të gjithë duhet ta kenë të qartë se ekzekutivi i Republikës së Kosovës merr vendime të pandikuara nga shtetet fqinje. Prandaj edhe Lista Serbe duhet të heq dorë nga kërcënimet boshe dhe ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se janë qytetarë të Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar ministri Lekaj në rrjetin social “Facebook”.

Njohësi i zhvillimeve politike, Avni Rudaku, ka thënë se deklaratat e Listës Serbe janë krejtësisht normale, pasi ajo parti mbron interesat e elitave politike dhe biznesore të Serbisë. Sipas tij, taksa prej 10 përqindësh ka ndikuar direkt në vetë qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

‘’Taksa prej 10 përqindësh e krijon presionin e elitave serbe të biznesit te politikanët në Serbi dhe rrjedhimisht, është ndikim në vetë qasjen e Serbisë ndaj Kosovës. Për neve, nuk është lajm deklarata e Listës Serbe, pasi që dihet që nga fillimi ka qenë direkt e varur nga Beogradi dhe këtë lidhje e kanë mundësuar elitat politike që nga paslufta, pasi që nuk kanë arritur të krijojnë ‘elita politike serbe’, me besnikëri ndaj shtetit të Kosovës dhe nuk kanë krijuar besnikëri të nevojshme nga komuniteti serb’’, ka thënë Rudaku.

Lexo edhe:

Braktisën Qeverinë, por jo postet!

Sipas tij këto masa ndaj Serbisë është dashur shumë më herët të aplikoheshin.

“Politikat proteksioniste ndaj Serbisë është dashur që moti të vihen, sepse kjo ka qenë mundësia e vetme e kushtëzimit më të madh ndaj Serbisë, për të ndryshuar politikat ndaj Kosovës”.

Edhe pse kjo parti e komunitetit serb në Kosovë, në mars të këtij viti kishte deklaruar se do të largohej nga Qeveria e Kosovës dhe të gjitha postet politike, asnjë ministër dhe zv/ministër i kësaj partie nuk kishte dhënë dorëheqje.

Ata vazhdojnë t’i marrin pagat dhe mëditjet nga buxheti i Republikës së Kosovës.